Jeton Zulfaj: Paris Guri është modeli më i shëmtuar i politikës së re në LDK
Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj sulmit verbal dhe fizik të ndodhur ndaj deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë akt me, siç e quan ai, një fushatë sistematike linçimi të udhëhequr nga deputeti i ri i LDK-së, Paris Guri.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Zulfaj e cilëson Gurin si përfaqësuesin më të shëmtuar të një modeli të ri politik, të ndërtuar mbi personalizim të skajshëm të debatit, shpifje dhe krijim të realiteteve të fabrikuara përmes videove propagandistike. Ai thotë se sjellja e deputetit të LDK-së nuk përfaqëson as kulturë të re politike, as etikë institucionale, por vetëm një përpjekje për të dehumanizuar kundërshtarët politikë.
“Fjalët kanë pasoja,” shkruan Zulfaj, duke theksuar se një gjuhë e tillë e urrejtjes është e rrezikshme dhe mund të nxisë akte të dhunës, si rasti i sulmit ndaj Pacollit. Ai shpreh shqetësimin se përdorimi i lajmeve portalistike për ndërtimin e fushatave personale është një model që duhet refuzuar fuqishëm nga të rinjtë që synojnë të kontribuojnë në politikë.
Sipas tij, politika në Kosovë ka nevojë për debat të ndershëm, respekt, argumente të bazuara në fakte dhe dije – jo për linçime dhe thirrje për sundimin e turmës. “Nëse kjo është fytyra e re e LDK-së, atëherë është një fytyrë që duhet refuzuar nga çdo qytetar që beson në ligj, jo në linçim,” përfundon Zulfaj.
Rruga Press

