OKB: Gaza është kthyer në “ferr mbi tokë”, stafi humanitar po alivanoset nga uria
Kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka deklaruar se situata në Rripin e Gazës është bërë e padurueshme, duke e përshkruar atë si “ferr mbi tokë”.
Në një deklaratë të publikuar nga zëdhënësi i tij gjatë një konference për media në Gjenevë, Lazzarini tha se edhe stafi i UNRWA-së po vuan nga uria dhe lodhja ekstreme.
“Mjekë, infermierë, gazetarë, punonjës humanitarë – përfshirë kolegët tanë në UNRWA – janë të uritur. Shumë prej tyre po alivanosen nga uria dhe rraskapitja, ndërsa vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre,” theksoi ai.
Lazzarini shtoi se asnjë pjesë e Gazës nuk është e sigurt, ndërsa raportet e agjencisë tregojnë për vdekjen e rreth 1,000 palestinezëve të uritur që nga muaji maj, teksa prisnin për ndihma ushqimore.
Pas dështimit të bisedimeve për zgjatjen e armëpushimit gati 6-javor, Izraeli vendosi bllokadë totale në Gaza më 2 mars, duke ndaluar çdo hyrje të ndihmave deri në fund të majit, kur disa masa u lehtësuan pjesërisht.
UNRWA bëri të ditur gjithashtu se çmimet e produkteve ushqimore janë rritur për 40-fish, për shkak të mungesës ekstreme të ushqimit dhe nevojave bazike.
Rruga Press

