Britania e Madhe vendos sanksione ndaj oficerëve të shërbimeve sekrete ruse
Britania e Madhe ka vendosur sanksione të reja ndaj spiunëve rusë, të cilët, sipas saj, janë përgjegjës për një fushatë disavjeçare të aktivitetit kibernetik keqdashës në BM dhe vende të tjera.
Masat synojnë tre njësi të shërbimeve sekrete ruse (GRU) dhe 18 oficerë të përfshirë në spiunazh dhe hacker-im.
“Sanksionet synojnë një njësi të GRU-së – që zbuloi online informacione për të ndihmuar në shënjestrimin e sulmeve me raketa në Mariupol të Ukrainës, përfshirë atë që shkatërroi teatrin e qytetit me qindra civilë të strehuar”, tha Ministria e Jashtme.
Disa nga oficerët e shërbimeve sekrete të sanksionuar ishin të përfshirë në shënjestrimin e një pajisjeje në pronësi të Yulia Skripal me një program keqdashës të njohur si X-agent.
Kjo ndodhi pesë vjet para përpjekjes në Salisbury për të helmuar Yulia Skripal dhe babanë e saj Sergei Skripal – me agjentin vdekjeprurës nervor “Novichok”.
Helmimi i Sergei dhe Yulia Skripal, i njohur edhe si helmimi i Salisbury-t, ishte një atentat i dështuar për të helmuar Sergei Skripal, një ish-oficer ushtarak rus dhe agjent i dyfishtë për shërbimet sekrete britanike në qytetin, Salisbury, Angli, më 4 mars 2018.
“Spiunët e GRU po zhvillojnë një fushatë për të destabilizuar Evropën, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve britanikë”, tha sekretari i Jashtëm, David Lammy.
Ai tha se BM-ja po ndërmerrte “veprime vendimtare” me sanksionet kundër spiunëve rusë.
“Kërcënimet dhe agresioni hibrid i presidentit rus Vladimir Putinit nuk do ta thyejnë kurrë vendosmërinë tonë. Mbështetja e BM-së dhe aleatëve tanë për Ukrainën dhe sigurinë e Evropës është e patundur”, tha Lammy.
Rruga Press

