Bota

The Guardian:Kompania evropiane prodhon pjesë për bomba që kanë vrarë fëmijë në Gaza

Kompania më e madhe evropiane e prodhimit të raketave, MBDA, po furnizon pjesë kyçe për bomba që janë përdorur nga Izraeli në Gaza, duke shkaktuar vdekjen e shumë civilëve, përfshirë edhe fëmijë, bën të ditur media britanike ‘The Guardian’

MBDA prodhon krahët drejtues për bombën GBU-39, të cilët i japin bombës mundësinë të drejtohet me saktësi drejt objektivit. Këto pjesë prodhohen në fabrikën e MBDA-së në Alabama, SHBA, dhe më pas dërgohen tek kompania Boeing, e cila ndërton bombën.

Një hetim i thelluar i gazetës Guardian, në bashkëpunim me redaksitë Disclose dhe Follow the Money, zbuloi se kjo bombë është përdorur në të paktën 24 sulme ajrore në Gaza, ku kanë humbur jetën dhjetëra civilë, përfshirë shumë fëmijë. Sulmet kanë ndodhur në shkolla, kampe për familje të zhvendosura dhe zona të banuara, shpesh natën dhe pa paralajmërim.

Lexo më shumë  Policia moldave njoftoi se ka gjetur më shumë në rastin e grupit të trajnuar në një kamp në Serbi

Një nga rastet më tronditëse është sulmi në shkollën “Fahmi al-Jarjawi” në Gaza, më 26 maj 2024. Atë natë, një bombë goditi çatinë e shkollës ndërsa familje të shumta qëndronin brenda dhe flinin. Sulmi shkaktoi vdekjen e 36 personave, përfshirë shumë fëmijë.

Në këtë sulm, vajza 5-vjeçare Hanin al-Wadie mbijetoi me djegie të rënda të shkallës së dytë dhe të tretë, por prindërit dhe motra e saj humbën jetën. Hanin qëndroi në spital duke marrë trajtim, por vuajti gjithashtu trauma të thella psikologjike. Pas disa javësh, u evakuua për trajtim të mëtejshëm në Jordan, pasi kishte nevojë për operacione plastike në fytyrë dhe duar, si dhe për mbështetje psikologjike që Gaza nuk mund ta siguronte.

Lexo më shumë  Putini autorizoi sulmin me agjent nervor në Britani. Përgjegjës moral për vdekjen e nënës së tre fëmijëve në vitin 2018

Edhe pse qeveria britanike ka pezulluar disa licenca për eksportin e armëve drejt Izraelit, këto masa nuk ndikojnë në fabrikën amerikane të MBDA-së në Alabama, e cila vazhdon të furnizojë Boeing me pjesë për bombat që përdoren në këtë konflikt. Kjo tregon kufizimet e masave që synojnë ndalimin e eksportit të armëve për këtë luftë.

Ekspertët e armëve dhe organizatat ndërkombëtare, si Amnesty International, kanë ngritur shqetësime të mëdha për përdorimin e këtyre bombave në zona civile dhe kanë kërkuar hetime për mundësinë e krimeve të luftës. Ligji ndërkombëtar humanitar ndalon sulmet ndaj civilëve dhe kërkon që sulmuesit të marrin masa për të shmangur dëmet ndaj tyre, përfshirë paralajmërimin para sulmit kur është e mundur.

Rruga Press

YouTube player