Gjermania shpreh interes për raketahedhës amerikanë me rreze 2,000 km që mund të mbulojnë edhe objektiva në Rusi
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite zyrtare në Uashington, ka shprehur zyrtarisht interesin e Gjermanisë për të blerë sistemin amerikan të raketahedhësve me rreze të gjatë veprimi, Typhon, i cili ka kapacitet të godasë objektiva deri në 2,000 kilometra larg – përfshirë edhe territorin rus.
Duke folur pas takimit me homologun amerikan Pete Hegseth, Pistorius deklaroi se një armë e tillë do të rrisë ndjeshëm jo vetëm aftësinë mbrojtëse dhe parandaluese të Gjermanisë, por edhe të gjithë Evropës.
Edhe pse një vendim përfundimtar për blerjen nuk është marrë ende, Pistorius konfirmoi se është nisur procesi zyrtar për të shqyrtuar prokurimin e sistemit Typhon. Ai shtoi se sfidat teknike, logjistike dhe financiare janë të menaxhueshme dhe mund të zgjidhen në bashkëpunim me palën amerikane.
Në të njëjtën vizitë, Pistorius nuk arriti të finalizojë marrëveshjen për furnizimin e mëtejshëm të Ukrainës me sisteme Patriot, të cilat Gjermania synon t’i financojë me rreth dy miliardë euro. Megjithatë, bisedimet mbeten në vijim.
Sipas ministrit gjerman, forcat e armatosura gjermane aktualisht nuk disponojnë raketa me rreze veprimi të ngjashme, ndërkohë që sistemet evropiane janë ende në zhvillim dhe nuk pritet të jenë të gatshme për përdorim para shtatë apo dhjetë viteve.
Rruga Press

