BotaKryesore

Gjermania konfirmon: Po negociojmë blerjen e “më shumë se tri” sistemeve Patriot për Ukrainën

Qeveria gjermane ka konfirmuar të hënën se është në bisedime të avancuara me partnerët evropianë për të financuar blerjen e më shumë se tri sistemeve të mbrojtjes ajrore të tipit Patriot për Ukrainën, si pjesë e përpjekjeve për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve ruse. Megjithatë, NATO nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në këtë proces, sqaroi një zëdhënës qeveritar në Berlin.

Sipas raportimeve të mëhershme nga The Guardian, Gjermania pritej të financojë dy nga këto sisteme, ndërsa Norvegjia një tjetër. Por tani, zyrtarisht është bërë e ditur se në diskutim janë më shumë se tri sisteme, një sinjal ky i angazhimit në rritje të vendeve evropiane për të mbështetur Kievin.

“Po zhvillohen diskutime mbi modalitetet e zbatimit – sa sisteme do të përfshihen, kush do t’i marrë në dorëzim dhe si do të financohen,” deklaroi zëdhënësi i qeverisë, duke iu referuar edhe vizitës së fundit të ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, në Washington.

Ai shtoi se situata në terren po përkeqësohet, me një përqendrim të shtuar të trupave ruse, dhe për këtë arsye “është e domosdoshme të forcojmë mbrojtjen e Ukrainës.”

Lexo më shumë  Demokracia e rrejshme e LDK-së, partisë me Kuvende të Mëdha, por me votues pak

Çfarë janë sistemet Patriot?

Sistemet Patriot janë ndër mjetet më të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe antiraketore që përdoren nga vendet anëtare të NATO-s. Ato janë të afta të zbulojnë, ndjekin dhe neutralizojnë raketa balistike, raketa lundrimi dhe dronë, duke u bërë një shtyllë kyçe për sigurinë ajrore të Ukrainës në luftë kundër sulmeve intensive ruse.

Lexo më shumë  Një italian po hetohet për “turizmin e snajperëve” në Sarajevë