Libri i javes

LIBRI I JAVËS/GJENEAOLOGJIA E MORALIT – FRIEDRICH NIETZCHE

Nga parathënia e autorit.

Parathënie

Ne që kërkojmë njohjen, jemi të panjohur, të panjohur edhe ndaj vetes sonë dhe një gjë e tillë ka arsyet e veta. Kurrë s’e kemi kërkuar veten – e si mund të ndodhte, që një ditë të bukur ta gjenim atë? Me të drejtë kanë thënë: “Aty ku është thesari juaj, është dhe zemra juaj”1, thesari ynë gjendet aty ku janë zgjojet e njohjes sonë. Prandaj jemi gjithmonë në lëvizje, mu si kafshë të lindura me flatra, si mbledhëse të mjaltit të shpirtit, me synimin e vetëm në zemër: “të çojmë në shtëpi” diçka. Mandej, sa i takon jetës me të ashtuquajturat “përvoja”, cili prej nesh ka pasur qoftë dhe vetëm seriozitetin e nevojshëm për to? Ose kohën e nevojshme? Druhem, se lidhur me këto gjëra, kurrë nuk “kemi qenë në brendi” vërtet: në fakt zemra jonë qëndron përtej-po ashtu dhe veshët tanë! Ashtu si dikush, hyjnisht i habitur dhe i kredhur brenda vetes, veshët e të cilit janë trandur nga tingulli i kambanës që me gjithë forcën e saj ka lajmëruar ditën me dymbëdhjetë goditje, e që zgjohet papritur dhe pyet veten “çfarë qe ky tingull?”, kështu pra ne, në një farë mënyre, më pas, fërkojmë veshët të befasuar e tërë siklet dhe pyesim “çfarë përjetuam vallë në të vërtetë?”, ose më tej “cilët jemi ne në të vërtetë?”, dhe vetëm më pas i numërojmë, siç edhe u tha, të dymbëdhjetë fragmentet e goditjeve të përvojës sonë, të jetës sonë, të të qenit tonë – ajme – dhe ngatërrojmë llogarinë… Në fakt mbetemi medoemos të panjohur ndaj vetes, nuk e kuptojmë veten, duhet të dukemi tjetër nga ç’jemi, për ne vlen në përjetësi shprehja “çdokush është për vetveten gjëja më e largët” ²; po të na pyesësh, ne nuk jemi njerëz që “kërkojnë njohjen”…

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *