KryesoreLajme

Del dokumenti i gjykatës së Janinës/ Irena Gjoka u dënua në Greqi

Kanë dalë dokumentat që provojnë se Irena Gjoka, kryetarja e Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka qenë e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentash, një dënim të cilin e fshehu në formularin e vetëdeklarimit gjatë vetingut. Dokumenti është në një material PDF në greqisht dhe përmban dënimin e Irena Gjokës (atëherë të quajtur Irena Maneku) me burg që më pas është konvertuar në gjobë.

“Meqënëse nga gjithë procedura, dokumentat që u lexuan dhe diskutimi i çështjes u provua se (shkrim dore) e pandehura në datën 24.12.2002 u kap, gjatëë kontrollit të pasaportës, në posedim të pasaportës shqiptare me numin 10XXXXX që ishte e falsifikuar dhe konkretisht ishte e ndryshuar me ndërhyrje VISA në faqen 17 përsa i përket afatit të vlefshmërisë, me dijeninë e mbajtëses. Si rrjedhojë duhet që e pandehura të shpallet fajtore për këtë vepër”

Pasazhi më lart është pjesë e dënimit të marrë nga trupi gjykues, i përbërë nga gjykatësit Adhriani Lambropulu ,kryesuese dhe Jeorjios Petinarelis dhe Hrisula Dhanxera antarë.

Vendimi mban datën 7 Korrik 2005 dhe sqaron në detaje ngjarjen, kur Irena Gjoka/ Maneku është kapur me pasaportë të falsifikuar nga policia greke një ditë para krishtlindjeve, në 24 Dhjetor 2002.

“Për këto arsye e giykon të pandehurën në mungesë dhe e deklaron atë fajtore sepse: në datën 24.12.2002, në orën 15:30 në Kakavijë të Janinës, në kontroll pasaporte u kap të mbajë dokumenta udhëtimi të falsifikuara dhe konkretisht në vendin dhe kohën e mësipërme posedonte pasaportën e Shqipërisë me nr. 106XXXX, e cila ishte ndryshuar kështu: Tjetërsim VISA në faqen 17 te pasaportës përsa i përket afatit të vlefshmërisë dhe rrjedhimisht pasaporta e mësiperme provohet se është e falsifikuar”.

Dënimi i parë që ka dhënë gjykata e Janinës për këtë çështje është me burgim tre muaj dhe gjobë 1.500 Euro, plus shpenzimet e gjyqit. Por më pas gjykata, ka llogaritur rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ka vlerësuar gjendjen e te pandehurës dhe ka treguar mëshirë duke e konvertuar dënimin në një pagesë monetare prej 4,4 Euro në ditë.

Lexo më shumë  Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit për shkak të bllokadës amerikane

Dokumenti provon atë që kanë paralajmëruar më parë mediat greke, që kryen hulumtimet e para pas dënimit të Fredi Belerit nga Gjykata e Posaçme në Shqipëri. Që një vit më parë, Irena Gjoka u akuzua se kishte fshehur një dënim në Greqi sipas të cilit u dëbua për 10 vite nga zona Shengen.

Në atë kohë, gjykatësja përdorte mbiemrin e bashkëshortit të saj të parë Maneku, me të cilin kishte tentuar të futej në Greqi nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, duke u përpjekur të paraqitej si vorio-epirote.

Pas zbulimit të këtij falsifikimi emri i saj u fut në listën e personave “non grata” të sistemit Shengen. Asaj iu ndalua hyrja për 10 vite për arsye sigurie publike dhe të dhënat e saj dhe shenjat e gishtave u depozituan në bazën përkatëse të të dhënave.

Fshehja e dënimit gjatë vetingut

Por pasi mori dënimin në Greqi, Irena Gjoka që tani përdorte mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, bëri kërkesë për t’u zgjedhur anëtare e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kur plotësoi formularin e vetëdeklarimit, ajo duhej t’i përgjigjej pyetjeve nëse ka pasur dëbime, ka pezull ndonjë proces gjyqësor, ka ndalim hyrjeje në një vend të tretë, etj.

Formulari i Irena Gjoka

Në formularin e saj të vetëdeklarimit, gjyqtarja Irena Gjoka e ka mohuar që ndaj saj të kishte pasur ndonjë dëbim. Për shkak të një fshehjeje të tillë, zyrtarë të tjerë janë shkarkuar dhe disa janë dënuar për akuzën e falsifikimit në të kaluarën. Megjithatë Irena Gjoka ia doli të bëhet gjyqtare e GjKKO, të zgjidhej nënkryetare, por me funksionet e kryetares për shkak të vakancës.

Pikërisht për këtë dënim të fshehur, kreu i PD, Sali Berishës ka kërkuar vazhdimisht përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga procesi i tij gjyqësor, pasi me firmën e saj, Berisha qëndroi për thuajse një vit në arrest shtëpie. Gjatë seancave gjyqësore, Irena Gjoka e kishte pranuar dënimin që kishte për të në Greqi, por ajo tha se ky nuk përbënte shkak për ta përjashtuar nga çështja.

Lexo më shumë  Konjufca takon homologun malazez, flasin për rritje të bashkëpunimit

Akuzat e Berishës për Irena Gjokën

Në mars të këtij viti, Këshilli i Lartë Gjyqësor i doli në mbrojtje Irena Gjokës për akuzat e opozitës, që pretendonin se gjykatësja ishte e dëbuar nga zona Shengen. Megjithatë, pas daljes së dokumentave në media, KLGJ u detyrua të vihet në lëvizje duke kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme verifikimin e akuzave.

Tashmë prej një viti, prokuroria e Përgjithshme ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet greke, ndërsa me zbulimin e dokumentave të reja të gjykatës së Janinës, Sali Berisha shkoi më tej dhe tha se dokumenti kompromentues për Irena Gjokën u përpoq të fshihej nga administrata e Biden pasi demaskonte fytyrën e vërtetë të reformës në drejtësi.

“E vërteta vonon, por nuk harron. U përpoqën ta fshehin këtë të vërtetë për të mbrojtur nderin e drejtësisë Sorosiane, por morën turpin. Do marrin turpin, për çdo fshehje që do i bëjnë krimit” tha Berisha

Dokumenti pritet të hapë një tjetër debat gjyqësor për çëshjen e dosjes Partizani ku është i akuzuar Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

“Kjo është prova që gjyqtarja ka falsifikuar edhe formularin e dekriminalizimit, duke thënë se nuk jam e dënuar nga gjykatat e huaja dhe shqiptare. Pra dënimi grek, pasjell si pasojë dënimin dhe këtu marrim përgjegjësi penale për falsifikimin e formularit të kriminalizimit, sepse ka thënë që nuk jam dënuar. Ndërkohë që vendimi provon të kundërtën” tha avokati i Berishës, Genc Gjokutaj

YouTube player