BotaKryesore

Bundestagu gjerman miraton planin historik për mbrojtjen

Pas debatesh të gjata dhe polemikave të ashpra, Bundestagu miratoi të martën me dy të tretat e votave një ndryshim historik kushtetues, i cili do të transformojë mënyrën e financimit të mbrojtjes gjermane. Ky vendim nënkupton se frenimi buxhetor nuk do të kufizojë më shpenzimet për ushtrinë. Nga 720 deputetë, 513 votuan pro, 207 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Pjesë e këtij vendimi është edhe krijimi i një fondi special prej 500 miliardë eurosh, i cili do të investohet në infrastrukturë dhe klimë gjatë 12 viteve të ardhshme. Ky fond synon modernizimin e rrugëve, sistemeve energjetike dhe shkollave, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit kombëtar.

Friedrich Merz, kandidati për kancelar nga CDU dhe arkitekti kryesor i kësaj pakete, e cilësoi vendimin si jetik për sigurinë kombëtare dhe evropiane, veçanërisht në sfondin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Është një luftë edhe kundër vendit tonë që ndodh çdo ditë, me sulme ndaj rrjeteve tona të të dhënave, shkatërrimin e linjave të furnizimit, zjarrvënie, vrasje të porositura, spiunim të kazermave dhe fushata dezinformimi që mashtrojnë shoqërinë tonë,” paralajmëroi Merz.

Lexo më shumë  Gaza zgjohet nën sulmet më të mëdha që nga 19 janari, humbin jetën 220 persona, mes tyre shumë fëmijë

Ai theksoi se Gjermania duhet të përgatitet për sfida të reja globale duke rindërtuar kapacitetet e saj mbrojtëse me teknologji të avancuar dhe strategji të reja. “Tani duhet ta rindërtojmë aftësinë tonë mbrojtëse thuajse nga e para, me armatim të teknologjisë së lartë, sisteme të automatizuara dhe mbikëqyrje të pavarur satelitore evropiane,” shtoi ai.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), u përpoq të qetësonte skepticizmin mbi këtë paketë, duke theksuar se vendimi nuk synon militarizimin e vendit, por garantimin e sigurisë. SPD kishte kërkuar që krahas borxheve për mbrojtjen, të përfshihej edhe financimi për infrastrukturën.

“Po hyjmë në një epokë të re për Evropën, për Gjermaninë, për NATO-n dhe për brezat e ardhshëm. Sot bëhet fjalë mbi të gjitha për sigurinë e fëmijëve dhe nipërve tanë. Kjo siguron që aftësia jonë mbrojtëse të forcohet, pa rrezikuar kohezionin tonë shoqëror,” deklaroi Pistorius.

Lexo më shumë  Sorensen: Hedhja dritë mbi fatin e të zhdukurve, prioritet për mua

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe e Majta kundërshtuan fuqishëm këtë paketë, secila për arsye të ndryshme. Shumë deputetë të AfD-së u përpoqën ta ndalonin vendimin përmes kërkesave urgjente në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar Bundestagun për përpjekje për të cementuar pushtetin e qeverisë së ardhshme.

Kryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, kritikoi vendimin: “Bundestagu i 20-të po përdoret për të forcuar qeverinë e ardhshme federale, sepse vetëm këtu ata kanë shumicën. Edhe pse shumica e deputetëve të rinj janë të pranishëm sot, ky proces mund të ishte bërë me ta. A nuk është kjo një farsë?”

Pas miratimit në Bundestag, paketa ligjore duhet të kalojë me dy të tretat e votave edhe në Këshillin Federal, ku do të shqyrtohet dhe hidhet për miratim më 21 mars 2025. Nëse kalon edhe këtë fazë, ky vendim do të shënojë një epokë të re për financimin e mbrojtjes dhe infrastrukturës në Gjermani.

YouTube player