Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami ndihen optimist para ndeshjeve me Anglinë dhe Andorrën
Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami ishin sot (e martë) në konferencën për shtyp në “Shtëpinë e Futbollit”, ku folën për përgatitjet e skuadrës për dy ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Asllani tha se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të fokusuar, ndërsa theksoi se Shqipëria do të japë maksimumin ndaj Anglisë për një rezultat pozitiv.
Në fund, ai i bëri thirrje tifozëve të mbështesin skuadrën dhe të mbushin shkallët e stadiumit në “Arenën Kombëtare” për ndeshjen ndaj Andorrës.
Me Interin në Botërorin e Klubeve në Amerikë, sa i sigurt je që do shkosh vitin tjetër në Botërorin e vërtetë me Kombëtaren? – Këtu jemi për Kombëtaren, kemi një grup të vështirë, e dimë. Tani po stërvitemi dhe jemi gati për ndeshjen e parë.
Me Interin keni luajtur 2 herë kundër ekipeve angleze. Cili është sekreti për t’i ndalur? – Janë një skuadër shumë e fortë, skuadër fizike dhe shumë teknike. Lojtarët e tyre i njohim shumë mirë. Besoj se nuk duhet të mendojmë shumë, por të luajmë me shpirt e zemër. Të mos shkojmë atje si turistë se gjithmonë kur hyjmë në fushë, futemi për fitore. E dimë që është e vështirë, por do të punojmë edhe këto 2-3 ditë dhe do shkojmë aty me shumë shpirt.
Ku ndryshon Inzaghi nga Silvinjo? – Janë dy trajnerë shumë të fortë, dinë ta mbajnë mirë grupin. Nuk ka shumë diferenca, jam i lumtur që i kam të dy.
Çfarë presim nga Asllani? – Nuk e di çfarë prisni nga Asllani. Mendoj për ekipin, nuk jam këtu për të luajtur vetëm për veten time. Jemi një grup, një skuadër. Në kombëtare duhet të luajmë të gjithë së bashku. Kemi një ndeshje të vështirë. Po punojmë këto ditë, dje erdhëm. Kemi edhe dy ditë për të punuar, fokusi është te ndeshja me Anglinë.
Mesfusha e Anglisë? – Mesfusha e Anglisë është shumë e fortë. Gjithë skuadra angleze është shumë e fortë. Do jetë ndeshje e vështirë. Do të luajmë si ekip, me shpirt dhe zemër siç kemi luajtur.
Të kënaqur me një barazim? – Ndeshja fillon 0-0. Nuk i dihet, ne do të punojmë. Dhe nëse marrim një pikë do të jetë shumë mirë. Në fushë do të futemi vetëm për fitore.
E keni përgatitur skenarin se si ta frenoni Anglinë? – Nuk isha në Kombëtare në ndeshjen ndaj Anglisë katër vite më parë. Ne do të hyjmë në fushë dhe do të luftojmë që nga minuta e parë. E dimë që do na sulmojnë se kanë lojtarë shumë të shpejtë. Do të luajmë siç kemi luajtur në ndeshjet para Europianit.
Atmosfera në skuadër? – Ekipi ka shumë harmoni dhe skuadra është e fokusuar. Të gjithë duan të shkojnë në Botëror, do të jetë e vështirë.
Mesazh për tifozët për mbështetje? – I presim tifozët, na duhen. I falënderoj tifozët që kanë ardhur në Europian, të gjithë kanë folur për këtë gjë. Shpresoj të na mbështesin edhe në ndeshjen me Andorrën sepse kemi nevojë.

Nedim Bajrami tha se Anglia është një kundërshtar me shumë cilësi, por theksoi se ekipi është i përqendruar dhe po përgatitet mirë për këtë sfidë. Ai shtoi se është gati dhe do të japë maksimumin në çdo pozicion ku e vendos trajneri.
A jeni gati për duelin me Anglinë? – 6 muajt e parë i fillova mirë te Rangers, pastaj kohët e fundit nuk kam pasur shumë minuta, por kjo është pjesë e futbollit. Jam gjithmonë gati dhe nuk kam humbur asnjë stërvitje.
Ku e ndjen veten më mirë Bajrami, ku ka mundësi më shumë për të luajtur? – Që ka trafik në futboll është normale. Konkurenca është e madhe, kështu që çdo futbollist jep maksimumin në stërvitje dhe trajneri do të vendosë. Në krah dhe mesfushë, unë e ndjej veten mirë. Jam gati ku të më vendosë Silvinjo për të dhënë maksimumin në ndeshje.
4 vite më parë keni luajtur me Anglinë, çfarë do të jetë ndryshe këtë herë? – Po, ajo ndeshje që kemi bërë me Anglinë ka kaluar. Tashmë është një sfidë tjetër. Duhet të përgatisim ndeshjen shumë mirë sepse e dimë se çfarë kundërshtari është. E dimë se çfarë kualiteti kanë. Të gjithë djemtë janë gati dhe Silvinjo do ta përgatisë ndeshjen shumë mirë.
Eliminuat Mourinhon në Europa League, a ju ka motivuar kjo? – Besoj se po, sepse ishte një fitore e madhe të eliminosh Mourinhon dhe Fenerbahçen. Më ka dhënë një vetëbesim dhe me këtë kam ardhur në Kombëtare. Jam gati të ndihmoj skuadrën në fushë dhe jashtë fushe ku ka nevojë.
Sa gati është Shqipëria për të përballuar Anglinë? – Kampionati skocez është shumë fizik. Anglia luan shumë fort, të gjithë çunat janë gati. Me rikthimin e Brojës, jemi më shumë se kurrë gati.
UEFA ka ripostuar golin tuaj të shënuar me Italinë në Euro 2024, mendon se mund të vendosësh një tjetër rekord me Anglinë? – Rekordi është rekord. Të shikojmë çfarë do të bëjmë me Anglinë. Do të jetë një ndeshje ndryshe. Unë do të jap maksimumin. Të gjithë çunat janë gati për ndeshjen me ta.
Nga Liga e Kombeve te kualifikueset e Kupës së Botës, çfarë ka ndryshuar? – Çdo kompeticion është i ndryshëm. Tashmë luajmë për kualifikueset e Botërorit. I gjithë fokusi është këtu. Çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq duhet të mësojmë për të ecur përpara.

Rruga Press