KryesoreLajme

Kurti pjesë e shënimit të Ditës Kombëtare të Irlandës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në festën e shënimit të Ditës Kombëtare të Irlandës, të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë, transmeton KosovaNews.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri shprehu krahas urimit për Ditën Kombëtare të Irlandës edhe atë për Ditën e Shën Patrikut, duke i cilësuar të dyja festat si një ditë që mishëron trashëgiminë e pasur, qëndrueshmërinë historike dhe shpirtin global të popullit irlandez. Rikujtoi vizitën në Irlandë gjatë vitit të kaluar, duke theksuar lidhjen e thellë midis vendeve tona të ndërtuar mbi miqësinë e vërtetë, vlerat e përbashkëta dhe solidaritetin e palëkundur.

Lexo më shumë  Klima e biznesit në rajon 2020–2023: Shqipëria e fundit, kryeson Kosova

“Mbështetja e palëkundur e Irlandës për Kosovën, nga avancimi i shkëmbimeve arsimore dhe kulturore deri te forcimi i lidhjeve tona diplomatike, ka qenë i paçmueshëm. Avokimi i Irlandës për Kosovën në organizatat ndërkombëtare qëndron si një testament për partneritetin tonë të qëndrueshëm”, tha kryeministri Kurti.

Në vijim veçoi dhe potencialin e bashkëpunimit e iniciativat për diasporën, gjersa shprehu dhe urimet për qeverinë e re në Irlandë dhe kryeministrin e ri të vendit, Micheál Martin.

Në përfundim kryeministri çmoi vlerat që na bashkojnë, unitetin, qëndrueshmërinë dhe shpresën, dhe riafirmoi angazhimin për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë, duke siguruar bashkëpunim edhe më të madh, sukses të ndërsjellë dhe arritje të përbashkëta në vitet në vijim.

Rruga Press

YouTube player