BotaKryesore

Vulini akuzon Perëndimin për destabilizim të Serbisë, pas takimit me kryespiunin rus

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka akuzuar të premten shërbimet inteligjente perëndimore se po synojnë të destabilizojnë vendin e tij nëpërmjet mbështetjes së protestave anti-qeveritare, transmeton Reuters.

Pas takimit të mbajtur me shefin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, Vulini ka thënë se fuqitë perëndimore janë duke planifikuar të rrëzojnë qeverinë e Serbisë, e cila për një kohë të gjatë ka pasur lidhje të mira me Moskën.

Lexo më shumë  Shefja e diplomacisë së BE-së, Kallas: NATO garancia më e mirë për sigurinë e Ukrainës!

“Shërbimet inteligjente perëndimore janë duke provuar të fillojnë një ‘revolucion’ dhe ta destabilizojnë Serbinë”, ka shtuar Vulin.

Qindra mijëra studentë, të mbështetur nga profesorët, fermerët dhe punëtorët, kanë mbajtur protesta të vazhdueshme në mbarë Serbinë që nga nëntori i vitit të kaluar, ku 15 persona humbën jetën pas rënies së çatisë së një stacioni treni në qytetin e Novi Sadit. 

Protestat gjithëpopullore po shihen si kërcënim i madh për pushtetin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Vulin, një politikan pro-rus, ka shërbyer më herët si shef i Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), po ashtu edhe si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Mbrojtjes.

Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin sanksionuar Vulinin për arsye të aktiviteteve të tij pro-ruse dhe lidhjeve me grupe kriminale të trafikut të drogës.

YouTube player