KryesoreLajme

Hapen letrat e tjera/ Veliaj, plan vendor vetëm për Ajolën. Si u “sajua” rruga te “Shkolla e Kuqe” për komplekset e banimit

Dy godina masive 8-katëshe, gati në të përfunduar, qëndrojnë përballë njëra-tjetrës në zonën pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë, që kufizohet nga fundi i dy rrugëve kryesore, “Hoxha Tasim” dhe “Qemal Stafa”, brenda Unazës qendrore të kryeqytetit.

E parë nga rruga “Hoxha Tasim”, godina e bardhë në të djathtë po ndërtohet nga “Tirana 1 Konstruksion”, bazuar në lejen e ndërtimit të firmosur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në dhjetor të vitit 2022.

Në të majtë dallohet ana fundore e një tjetër kompleksi banimi, miratuar me lejen e Veliajt në Prill 2022, me subjekt “Gramozi Projektim-Ndërtim”. Ndërtesa është projektuar nga studio “Atelier 4”, në pronësi të familjes Eftimi. Pamja ballore me katër kate sheh nga rruga “Faik Tërnova” dhe vjen në thellësi të zonës, duke u rritur deri në 8 kate.

Në foto: Dy godinat (me shigjetë), parë nga rruga “Hoxha Tasim”
Mes dy godinave ka një hapësirë rreth 25-30 metra. Sipas Planit Vendor të Bashkisë së Tiranës, kjo distancë është shënuar “rrugë ekzistuese”, por që nuk ka emër. Referuar planit vendor, rruga ka formë “të shtrembër” dhe përshkon tej për tej zonën.

Në foto: Në rreth të kuq, “rruga ekzistuese” që përshkon tej e tej zonën TR-7, sipas Planit të Detajuar Vendor të Bashkisë Tiranë

Por, vëzhgimi me sy të lirë dëshmon se aty, jo vetëm që nuk ka rrugë, por as nuk ka ekzistuar ndonjëherë.

Gjithashtu, edhe nga një vëzhgim në aplikacionin “Google Map” rezulton se “rruga” e shënuar në Planin Vendor të Bashkisë së Tiranës edhe aktualisht nuk ekziston. Të dhënat satelitore tregojnë se në zonë gjendet vetëm një “rrugë qorre”, e emërtuar “Hajdar Kërçiku”, e cila mbyllet në vetëm pak metra nga oborret e shtëpive të vjetra tipike tiranase.

Në foto: Pamje nga aplikacioni “Google Map”, ku dallohet se nuk ka “rrugë ekzistuese” që kalon tej e tej zonës TR-7

Për të kuptuar arsyet se përse duhej “sajuar” një rrugë nga Bashkia e Tiranës në këtë zonë, duhet të shkojmë më thellë, ku, në çdo hap që hidhet, forcohet gjithnjë e më shumë dyshimi se e gjithë historia mund të jetë një falsifikim “i hollë” me qëllim favorizimin e një prone të trashëguar nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Për këtë, ndihmojnë disa detaje në dosjen hetimore të përgatitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), me anën e së cilës po mbahet në arrest me burg Veliaj që prej 10 Shkurtit 2025.

Hetimet e deritanishme të SPAK-ut kanë krijuar dyshime për “një skemë të ndërlikuar korruptive”, nëpërmjet të cilës bashkëshortët Veliaj-Xoxa kanë përdorur pushtetin publik për t’u pasuruar.

Mes detajeve të shumta në dosjen hetimore, SPAK-u citon edhe një marrëdhënie të dyshimtë pastrimi parash mes Ajola Xoxas dhe djalit të xhaxhait të saj, Valmir Xoxa.

Nga të dhënat hetimore rezulton se Ajola Xoxa dhe nëna e saj, Valbona Xoxa, i kanë shitur shtetasit Valmir Xoxës për shumën 140 mijë euro pjesën takuese të një godine pranë Shkollës së Kuqe, të trashëguar nga i ndjeri Arben Xoxa, dhe, për këtë arsye, zonjat nuk janë më pjesë e pallatit që po ndërtohet mbi atë truall

Sipas SPAK-ut, shtetasi Valmir Xoxa, një individ me profesion artist, “duket se nuk ka pasur mundësi ekonomike për të krijuar dhe shpenzuar shumën 140 mijë euro. Pretendimet e Valmir Xoxës për krijimin e kësaj shume nuk kanë asnjë bazë faktike, pasi pagat e tij dhe bashkëshortes janë mesatare”.

Po ashtu, për SPAK duken të pabesueshme edhe pretendimet se “ai e ka mbajtur këtë shumë parash në gjendje cash në këllëf jastëku”.

Lexo më shumë  U qëllua me armë zjarri nga partneri, ndërron jetë 44-vjeçarja në Shkodër

Në foto: Në dosjen hetimore, SPAK ngre dyshime për transaksionet mes Ajola Xoxa dhe Valmir Xoxa

Në dosje hetimore përmendet gjithashtu se personi që po merret me projektimin e pallatit tek “Shkolla e Kuqe” është Olsi Eftimi, një arkitekt i afërt me familjen Veliaj-Xoxa, gjithashtu anëtar i një familjeje biznesi, emri i së cilës gjendet në shumë leje ndërtimi në Tiranë.

Në materialin hetimor thuhet se për anën dokumentare të asaj prone është angazhuar Olsi Eftimi, një arkitekt i afërt me familjen Veliaj-Xoxa, gjithashtu anëtar i një familjeje biznesi, emri i së cilës gjendet në shumë leje ndërtimi në Tiranë.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme nuk specifikohet prona, për të cilën është kryer transaksioni i dyshimtë mes Ajola Xoxës dhe Valmir Xoxës.

Megjithatë, dy detajet- vendndodhja “Shkolla e Kuqe” dhe emri “Eftimi”, si pjesë e studios projektuese “Atelier 4”-, rikthyen në vëmendje të “Boldnews.al” një raportim të mëhershëm, ku ngriheshin dyshime për falsifikim të Planit Vendor për atë zonë nga ana e Bashkisë së Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliaj.

Sipas atij raportimi të dy viteve më parë, dyshohej se Veliaj ka falsifikuar planin e detajuar vendor të zonës së emërtuar “TR-7”, duke shënuar një rrugë jo-ekzistente, me qëllim favorizimin e zhvillimit të pronës së trashëguar nga disa persona, mes të cilëve Ajola Xoxa dhe nëna e saj, Valbona Xoxa.

Boldnews.al” u rikthye sërish në atë zonë, tashmë nën dritën e rrethanave të reja, të cituara në dosjen e hetimit gjyqësor.

Në të dy anët e kësaj “rruge”, tashmë janë ngritur dy godina të larta 8-katëshe. Njëra prej tyre, e cila me sy të lirë duket më e madhja në volum, është ngritur mbi pronën, ku dikur gjendej një godinë e vjetër 3-katëshe, pjesë e trashëgimisë së familjes Xoxa.

Si u vizatua “rruga” fantazmë

Në Tetor të vitit 2020, kryebashkiaku Erion Veliaj miratoi Planin e Detajuar Vendor për zonën “TR-7” në Tiranë. Kjo hapësirë përfshin një grup banesash të vjetra, tipike tiranase, të lidhura me avlli, murë e gardhe me njëra-tjetrën.

Zona kufizohet në veri nga rruga “Qemal Stafa”, në Lindje nga rruga “Bardhyl”, në Jug nga “Hoxha Tasim” dhe në Perëndim nga “Faik Tërnova”. Për shumë të tjerë, zona njihet edhe si një ndër blloqet e vjetra të banimit pranë “Shkollës së Kuqe”.

Në Planin e Detajuar Vendor, të miratuar nga Veliaj, në mes të bllokut të banimit, gjendet e shënuar edhe një rrugë. Vija është e shtrembër, ndryshe nga rrugët e të gjithë zonës dhe nuk është e emërtuar.

Kjo rrugë, e cila gjendet në Planin Vendor, nuk ekziston dhe këtë fakt, “Boldnews.al” e ka konstatuar që në vitin 2023.

Redaksia kontaktoi me urbanistë, inxhinjerë ndërtimi e ndërtues, për të marrë një opinion se përse Bashkia duhet të shënojë në Planin Vendor të Detajuar një rrugë që nuk ekziston.

Opinioni i përgjithshëm ishte që Bashkia, në planet e saj, mund të mendojë për rritjen e lëvizshmërisë apo të aksesit të banorëve të zonës dhe ndaj mund të ketë menduar që të ndërtojë një rrugë të re, në funksion të komunitetit. Logjika e ekspertëve, në parim, qëndron.

Por, në praktikë, në rastin konkret, duket se nuk funksionon.

Bashkia e Tiranës, në Planin e Detajuar për këtë zonë, nuk flet aspak për ndërtimin e një rruge të re. Në dokumentin e firmosur nga Veliaj për zonën “TR-7” thuhet se “duke iu referuar rrugëve të propozuara nga Plani i përgjithshëm vendor, si dhe situatës së rrugëvë ekzistuese, të gjitha rrugët propozohen si zgjerim i segmenteve ekzistuese…”.

Në foto: Plani i Detajuar Vendor për zonën “TR-7” parashikon vetëm zgjerim rrugësh ekzistuese dhe asnjë ndërtim rruge të re

Lexo më shumë  GJKKO përgënjeshtron Veliajn i cili gënjen edhe nga qelia: Nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment

Pra, Bashkia nuk ka pasur ndërmend që të ndërtojë rrugë të reja në atë zonë, por vetëm zgjerim-rehabilitim të rrugëve ekzistuese. Atëherë, çfarë është ajo “rrugë ekzistuese”, e shënuar në dokumentat e Veliajt, që përshkon tej e tej zonën?

Pallatet në dy anët e “rrugës”

Në pamjet e fotografuara dhe filmuara nga “Boldnews.al” duket qartësisht se gjurma e asaj që konsiderohet “rrugë” në Planin Vendor të Bashkisë së Tiranës, aktualisht është e bllokuar nga kantieri i ndërtimit të dy godinave shumë-katëshe.

Në foto: Pamja e “rrugës”, e para nga ana e rrugës “Hoxha Tasim”

Kjo “rrugë” duhet të ketë dalje në dy anë, në rrugën “Hoxha Tasim” dhe në rrugën “Qemal Stafa”. Në të dyja drejtimet ajo është e mbyllur me kangjella kantieri.

Në foto: Hyrja e “rrugës” nga ana e rrugës “Qemal Stafa”

Gazetarët tentuan të kalojnë mes përmes kantierit, por tabelat ndaluese dhe drynët e kangjellave e pengonin diçka të tillë.

Kushdo e ka të qartë që kantieri nuk mund të bllokojë rrugët ekzistuese, pasi bllokon lëvizshmërinë. Por, “rruga” mund të bllokohet vetëm nëse ajo nuk ekziston.

Ka shumë arsye se përse mund të jetë vizatuar një “rrugë” jo-ekzistuese në Planin Vendor të Bashkisë së Tiranës.

Një arsye e fortë mund të jetë, pikërisht, dyshimi për favorizimin e pronës, në të cilën disa vite më parë ishin trashëgimtare Ajola dhe Valbona Xoxa. Po e analizojmë një situatë të tillë, në kushte hipotetike, përsa kohë edhe Prokuroria e Posaçme ende nuk është thelluar në hetimin e mënyrës se si është zhvilluar ajo pronë.

Prona që trashëguan zonjat Xoxa gjenden në anë të rrugës “Faik Tërnova”. Ajo është një rrugicë e ngushtë, maksimumi 3 metra e gjerë, e cila lejon vetëm një sens kalimi të automjeteve, edhe kjo me vështirësi.

Me një vendndodhje të tillë aspak të favorshme nga pjesa ballore dhe e bllokuar nga shtëpi të vogla në të gjitha anët e tjera, kjo pronë nuk dukej se krijonte kushtet për zhvillimin mbi atë të godinave të larta. Rrjedhimisht, pronarët, nëse do të vendosnin zhvillimin e saj, do të kishin kufizime të shumta si në volum ndërtimi, ashtu edhe në kate. Pra, përfitimi nga zhvillimi i pronës do të ishte, më së paku, minimal.

Por, cilat do të ishin shanset që kjo pronë të zhvillohej më së miri? Rasti më i mirë do të ishte që ajo tokë të gjendej në anë të rrugës në disa drejtime të saj. Në këtë mënyrë, do të krijohej mundësia që ndërtimi i ri të shtonte volumin dhe katet.

Nisur nga kjo premisë, duket një variant i “arsyeshëm” që Bashkia e Tiranës të sajonte “një rrugë” në Planin e Detajuar Vendor, e cila gjendet saktësisht në pjesën e pasme dhe ngjitur me pronën që pak vite më parë trashëguan Ajola dhe Valbona Xoxe.

Në këtë mënyrë, me një rrugë ekzistuese nga ana ballore, “Faik Tërnova” dhe me një “rrugë të sajuar” në pjesën e pasme, pa emër, trualli mbi godinën e vjetër siguronte të gjithë kushtet për t’u zhvilluar në formën e kompleksit të banimit, me volum të madh ndërtimi dhe kate të larta.

Në foto: Kompeksi i banimit, ndërtuar në truallin e ish-godinës së trashëguar nga Ajola Xoxa

Për momentin, është e paqartë nëse banesat e prishura në atë zonë për krijimin e “rrugës” mes dy pallateve janë shpronësuar për qëllime publike apo kanë rënë dakord me ndërtuesit për përfitime kundrejt truallit.

Banorët e zonës që u takuan nga refuzuan të jepnin detaje, dukshëm të bezdisur për atë që po ndodhte në zonën e tyre.

Burimi: “Boldnews.al”

Rruga Press

YouTube player