BotaKryesore

Kur budallenjtë grinden për asgjë: Ukraina mezi ka disa minerale të rralla

Nga: Owen Matthews / The Daily Telegraph (titulli: Ukraine’s rare earth mineral wealth? It barely exists)

Një front i ri është hapur në konfliktin e Ukrainës mbi atë se kush do të kontrollojë pasurinë e supozuar të madhe minerare të vendit, pas përfundimit të luftimeve. Javën e kaluar, Donald Trump deklaroi në mënyrë të drejtpërdrejtë se dëshiron “diçka të barasvlershme me 500 miliardë dollarë në minerale të rralla” dhe pretendoi se ukrainasit “në thelb kanë rënë dakord për këtë, kështu që të paktën nuk ndihemi budallenj”. Gjatë fundjavës, Volodymyr Zelensky nuk u pajtua me këtë, duke u thënë gazetarëve në Kiev se ai nuk do të nënshkruante diçka për të cilën dhjetë breza të ukrainasve do të paguanin më vonë.

Ka një problem të vogël. Gjithë këto fjalë për miliarda apo edhe triliona dollarë në pasuri minerare të Ukrainës janë thjeshtë përralla. Praktikisht, ajo nuk ekziston. “Ajo që ka Ukraina është tokë e djegur; ajo që nuk ka janë mineralet e rralla”, thotë Javier Blas, kolumnist i Bloomberg Opinion. “Çuditërisht, shumë njerëz – përfshirë presidentin e ShBA-së, Donald Trump – duket se janë të bindur se vendi ka një pasuri të madhe minerare. Është marrëzi”.

Sipas US Geological Survey, “Ukraina nuk njihet se ka ndonjë rezervë të elementeve kryesore të rralla” – një listë prej 17 metalesh që përdoren në sasi të vogla në gjysmëpërçues, motorë elektrikë me shpejtësi të lartë dhe teknologji të tjera. Por, Ukraina nuk ka asnjërin prej tyre.

Por, le të supozojmë se Trumpi është shprehur gabimisht. Ajo që ai në të vërtetë kishte parasysh ishin mineralet “kritike” jo të rralla, si litiumi, uraniumi, galiumi dhe titani. Dhe, në të vërtetë, Ukraina ka depozitat më të mëdha të litiumit në Evropë – një metal i butë, jetik për industrinë e baterive dhe automjeteve elektrike. Po ashtu, ajo ka dy për qind të burimeve të njohura globale të uraniumit, shtatë për qind të titanit në nivel botëror, si dhe rezerva të kobaltit, grafitit, bakrit dhe niklit. Senatori republikan, Lindsey Graham, vitin e kaluar e përshkroi me entuziazëm Ukrainën si “vendin më të pasur në të gjithë Evropën … me minerale me vlerë dy deri në shtatë trilionë dollarë, që janë të rralla dhe të rëndësishme për shekullin XXI. Ukraina është e gatshme të bashkëpunojë me ne, jo me rusët”.

Vizioni i Grahamit për Ukrainën e bënte vendin të dukej si një Eldorado për përfitime dhe me rëndësi strategjike botërore. Nuk është çudi që ekipi i Trumpit reagoi me shenja dollarësh në sy.

Lexo më shumë  Zelensky në trevjetorin e nisjes së luftës lavdëron ukrainasit për rezistencën

Fatkeqësisht, kjo pamje e shkëlqyer e një vendi të pasur me minerale në Dnjipro bazohet në një gabim të thjeshtë në llogaritje. Mënyra e gabuar për të llogaritur vlerën e rezervave minerare është të shumëzosh tonazhin e vlerësuar që mund të ekzistojë nën tokë, me çmimin aktual botëror. Por, kjo nuk është një shifër reale. Vlera e vërtetë shfaqet vetëm kur merret parasysh sa nga kjo pasuri mund të shitet realisht çdo vit në tregun global – duke zbritur kostot e mëdha të nxjerrjes dhe rafinimit.

Merrni si shembull titanin. Në vitin 2023, i gjithë tregu botëror për këtë metal të fortë dhe super të lehtë ishte 31 miliardë dollarë. Vitin e kaluar, Ukraina eksportoi vetëm 11.6 milionë dollarë – jo miliardë – minerale që përmbajnë titanium. Megjithëse në teori shtatë për qind e rezervave botërore të titanit janë nën kontrollin e Kievit, do të nevojiten investime prej miliardash për të krijuar kapacitetet e rafinimit për të prodhuar titanium më të vlefshëm dhe të eksportueshëm. Edhe atëherë, shtatë për qind e tregut botëror do të përbënte shitjen bruto prej vetëm pak më shumë se dy miliardë dollarë në vit.

E njëjta histori ndodh edhe me litiumin. Në botën imagjinare të Lindsey Grahamit, rezervat e vlerësuara prej 500 mijë tonelata në Ukrainë mund të vlejnë midis 10 dhe 12.5 miliardë dollarë me çmimet aktuale. Por, shitjet globale të litiumit në vitin 2024 ishin vetëm 37 miliardë dollarë – një rënie prej 22 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kjo për shkak të mbiofertës dhe kërkesës së dobët. Deri më tani, sipas një raporti të fundit nga BNE Intellinews, “Kievi ende nuk ka filluar të shfrytëzojë rezervat e veta [dhe] nuk prodhon asnjë sasi litiumi”. Për më tepër, disa nga depozitat më premtuese, si ato në Kruta Balka në rajonin e Zaporizhias, janë pjesërisht nën kontrollin rus.

Eksportet e uraniumit nga Ukraina janë rritur me 250 për qind që nga fillimi i luftës – por, këto eksporte kishin gjithsesi një vlerë totale prej vetëm 29 milionë dollarë në vitin 2023. Rusia dominon tregun global të rafinimit të uraniumit të papërpunuar të tipit “torta e verdhë” që përdoret në reaktorët bërthamorë në të gjithë botën – përfshirë ShBA-në që ende varet nga furnizimet ruse. Mundësia që Ukraina të eksportojë mineralin e saj të uraniumit në Rusi, për rafinim, është pothuajse zero. Eksportet e grafitit nga Ukraina vitin e kaluar ishin vetëm shtatë milionë dollarë. Dhe, lista vazhdon.

Lexo më shumë  NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

Ajo për të cilën Ukraina është vërtet e pasur janë gazi natyror dhe qymyri – një pasuri e zbuluar nga uelsiani John Hughes në shekullin XIX në luginën e lumit Donjec. Madje, qyteti i Donjeckut dikur quhej Hjusovka në nder të tij. Problemi është se gjithë këto rezerva të mëdha dhe të pashfrytëzuara të gazit ndodhen pikërisht nën vijën aktuale të frontit, ndërsa shumë miniera qymyri janë nën kontrollin rus që nga viti 2014. Shanset që këto rezerva të shfrytëzohen janë afër zeros. Kompanitë perëndimore të naftës dhe gazit preferojnë të investojnë në vende të qëndrueshme – ndërsa fushat e hidrokarbureve që shtrihen përtej kufijve ndërkombëtarë janë një recetë për konflikt.

Ishte qeveria ukrainase ajo që filloi mitin e pasurisë së madhe minerare të Ukrainës. Duke kërkuar një mënyrë për të angazhuar administratën e sapozgjedhur të Trumpit, prodhuan një raport të quajtur “Ukraina: Portofoli i mineraleve kritike”, në nëntor të vitit të kaluar. Pretendimet e tyre të ekzagjeruara u përhapën nga NATO Energy Security Centre of Excellence, një OJQ me bazë në Lituani, e cila në një raport të dhjetorit 2024 me entuziazëm deklaronte se “rëndësia strategjike e materialeve kritike të Ukrainës nuk mund të nënvlerësohet … Këto burime janë thelbësore për industritë si mbrojtja, teknologjia e lartë, hapësira ajrore dhe energjia e gjelbër”. Aftësia e Ukrainës për të ofruar këto minerale është “vendimtare për vendet që synojnë të zvogëlojnë varësinë nga vendet jodemokratike si Kina, Rusia, Irani dhe regjime të tjera jodemokratike”. Kështu lindi narrativa Graham-Trump për pasurinë e madhe të Ukrainës dhe rëndësinë e saj të jashtëzakonshme gjeostrategjike.

ShBA-ja e ka bërë këtë gabim edhe më parë. Në vitin 2010, Pentagoni, duke u bazuar në një studim gjeologjik të epokës sovjetike, deklaroi me entuziazëm se Afganistani ishte “Arabia Saudite e litiumit”, për shkak të depozitave të pashfrytëzuara minerare me vlerë prej një trilion dollarë. Por, tregu botëror veçse ishte i mbingopur dhe asnjë bum ekonomik nuk u realizua ndonjëherë.

Administrata Trump e ka lejuar veten të portretizohet si një grup kolonialistësh grabitqarë, duke rrëmbyer pasuritë e një vendi në këmbim të ndihmës ushtarake e cila në fakt do të duhej të ofrohej si ndihmë dhe jo si shkëmbim tregtar. Por, shifrat nuk përputhen. Ajo që po shohim është një spektakël i shëmtuar i të paditurve që debatojnë për një flluskë bosh. /Telegrafi/

YouTube player