Opinion/Aktualitet

Fushata në javën e fundit, Lëvizja VETËVENDOSJE! drejtë fitores së radhës!

Nga Agim Krasniqi

Me afrimin e 9 shkurtit 2025, zgjedhjet parlamentare po hyjnë në fazën vendimtare. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është në rrugën e një fitoreje të qartë, e mbështetur nga një bazë e fortë votuesish që besojnë në një Kosovë të pavarur politikisht dhe të pastër nga korrupsioni.

Në prag të zgjedhjeve, LVV mbetet favoritja kryesore, me një përqindje të pritshme prej 45%-50%, bazuar në sondazhet e fundit dhe trendin e mobilizimit. PDK dhe LDK, dy forcat kryesore të opozitës, synojnë të rrisin mbështetjen, por mbeten pas me 18%-21% dhe 15%-17% respektivisht, ndërsa AAK-NISMA qëndrojnë në 7%-9%, me pak mundësi për të bërë një përmbysje të madhe në këto ditë të fundit të fushatës.

Në këto zgjedhje, votuesit janë ndarë mes emocionit të besnikërisë ndaj një lideri që shihet si garant i shtetit dhe një analize racionale të performancës së qeverisë aktuale.

  • Për ata që votojnë me ndjenjë, Albin Kurti mbetet lideri i vetëm që ka sfiduar sistemin e vjetër politik, ka ndalur keqpërdorimet dhe ka forcuar imazhin e Kosovës si një shtet që nuk i nënshtrohet ndërhyrjeve të jashtme. Nën qeverisjen e tij, Kosova ka ndërmarrë hapa të guximshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e Mitrovicës, duke ndaluar përdorimin e tabelave me mbishkrime serbe, dinarin serb dhe operacionet e strukturave të jashtëligjshme që deri vonë kishin funksionuar jashtë kontrollit të institucioneve të shtetit. Për herë të parë, Kosova ka rikthyer funksionimin e postës dhe ka çmontuar rrjete kriminale që kishin vepruar për vite me radhë në atë pjesë të vendit. Ky angazhim ka rritur ndjeshëm besimin e qytetarëve në forcën e institucioneve të Kosovës dhe në vendosmërinë e qeverisë për të mbrojtur sovranitetin dhe rendin kushtetues. Në këtë segment, LVV gëzon mbështetje të palëkundur, duke e garantuar votën e saj bazë, që është mbi 45% e elektoratit aktiv.
  • Për ata që votojnë me arsye, rezultatet ekonomike dhe përmirësimet në qeverisje janë kyç. Megjithëse ka ende sfida, politikisht, qeveria Kurti është parë si më e qëndrueshmja që ka pasur Kosova në dekadën e fundit. Për këtë arsye, shumica e votuesve pragmatikë e shohin LVV-në si zgjedhjen më të sigurt, ndërsa opozita përballet me vështirësi në ndërtimin e një alternative të besueshme.
Lexo më shumë  Apel për gazetarët dhe analistët e Kosovës: Ky është një moment historik për Kosovën, mos u bëni ju ata që do ta shkatërrojnë

Ndikimi i faktorit Trump-Grenell- sfidë apo forcim për LVV?

Administrata Trump ka mbetur e rezervuar në qëndrimet e saj ndaj zgjedhjeve në Kosovë, pa ndërhyrje të drejtpërdrejta. Opozita ka tentuar ta përdorë deklaratën e Trump kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkan si një armë kundër qeverisë aktuale. Megjithatë, kjo nuk ka pasur efekt të madh, pasi LVV ka kapitalizuar mbi këtë diskurs duke e prezantuar si një luftë që ajo e ka udhëhequr më fuqishëm se çdo parti tjetër.

Nëse në ditët e fundit ndodh një ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga SHBA në favor të opozitës, LVV mund ta përdorë këtë si një argument të fuqishëm për ta paraqitur veten si mbrojtëse të sovranitetit të Kosovës, duke i forcuar edhe më tej pozitat e saj dhe duke ruajtur shifrën 47%-50% të votave. Nëse ndërhyrja mbetet neutrale, atëherë PDK nuk do të ketë asnjë shans për të kapërcyer 21%, ndërsa LDK do të mbetet në kufijtë e 15%-17%.

Lexo më shumë  Nuk ka më Amerikë të cilës ti besojmë

Një faktor kyç në këtë garë do të jetë pjesëmarrja në votime. Nëse votuesit e LVV-së mobilizohen fuqishëm, ajo mund të arrijë mbi 50% të votave, duke siguruar një mandat të qartë për qeverisje të vetme. Nëse pjesëmarrja është e ulët, opozita mund të fitojë disa përqindje shtesë, por jo aq sa për të ndryshuar rezultatin final.

Diaspora është një tjetër faktor vendimtar sepse në zgjedhjet e kaluara, ajo ka mbështetur fuqishëm LVV-në dhe nëse nuk ka pengesa në votimin nga jashtë, kjo mund të ndikojë me një rritje shtesë prej 1-2% në favor të Vetëvendosjes.

Të gjitha trendet tregojnë se LVV po i afrohet një fitoreje të qartë. Me një mbështetje që varion nga 45% në 50%, kjo parti është në rrugën e konsolidimit të një qeverisjeje të qëndrueshme, e cila nuk do të varet nga koalicionet e brishta të së kaluarës.

PDK dhe LDK, me gjithë përpjekjet e tyre, nuk kanë arritur të krijojnë një valë të vërtetë mobilizimi që do të ndryshonte dinamikën zgjedhore, ndërsa AAK-NISMA mbeten me një rol dytësor në këtë betejë.

E vetmja pyetje që mbetet është: A do të arrijë LVV të kalojë 50% për të qeverisur e vetme, apo do të ketë nevojë për një aleat të vogël politik për ta formuar kabinetin e saj të ardhshëm?

Rruga Press

YouTube player