KryesoreLajme

Hajdari: Marrëveshja me EFTA-n e bën Kosovën destinacion për investime

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mbajtur takim me bizneset lidhur me “Prezantimin e përfitimeve nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s”. 

Me këtë rast, e para e dikasterit të Industrisë, Rozeta Hajdari tha se Kosova ka një ekonomi në rritje e cila po bëhet çdo ditë e më tërheqëse për investitorët e huaj.

Sipas saj, marrëveshja e arritur me shtetet e EFTA-s, do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve kosovare dhe atyre të huaja.

“Sot po e shënojmë këtë arritje të rëndësishme për ekonominë, që konfirmon synimin tonë për rritjen dhe integrimin tonë, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Për të arritur deri te nënshkrimi i marrëveshjes me EFTA-n është dashur shumë punë. Negociatat kanë përfunduar me kapituj shumë të rëndësishëm, duke filluar me kapitullin për tregti me mallra, shërbime, për konkurrencën, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kosova është i vetmi shtet në rajon që në këtë marrëveshje mori edhe kapitullin për tregtinë me shërbime”, deklaroi ministrja.

Lexo më shumë  Shqipëria e dy shpejtësive, PBB-ja rritet, por varfëria kërkon një shekull për t’u zhdukur

Tutje Hajdari përmendi disa nga përfitimet që do t’i sjellë bizneseve kosovare kjo marrëveshje.
“Kjo marrëveshje eliminon tarifat doganore për produktet industriale. Nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë e mallrave, por marrëveshja lehtëson edhe tregtinë e shërbimeve. Së dyti, bizneset nga Kosova do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me biznese nga shtetet e EFTA. Përmes kësaj marrëveshje, Kosova bëhet një destinacion më i favorshëm për investimet e huaja”, shtoi ajo.

Lexo më shumë  Ramës dhe qeverisë së tij rilindse nuk ja ndjen për UÇK-në e për luftëtarët e saj

Gjatë takimit, përfaqësues të bizneseve u njoftuan me shumë rreth përfitimeve që mund të kenë pas arritjes së marrëveshjes për tregti të lirë me EFTA-n.

YouTube player