KryesoreOpinion/Aktualitet

Ja si i kuptoj unë protestat e studentëve në Serbi

Shkruan Lirim Gashi

Studentët nga Serbia janë fëmijë të një shoqërie dekadente, e cila tash e disa dekada jeton nën hijen e robërisë mendore, të dizajnuar nga makineria e errët e Shërbimit Sekret Rus.

Ky institucion, i pajisur me mjeshtërinë më të madhe të manipulimit, ka injektuar për dekada në gjenet e shumicës së serbëve urrejtjen si një sëmundje të heshtur virale, që lulëzonte në çdo pore të nënvetëdijes kolektive.

Urrejtja është bërë një mësim i pashkruar, një këngë që është përcjellë nga brezi në brez, një melodi që ka mallkuar gjithçka që nuk mbante vulën e “gjenetikës serbe”.

Sot, ky virus, pasi ka mbijetuar për dekada në një gjendje hibernimi, kërkon një ushqim të ri.

Ky virus shkatërrues i etur për gjak nuk kërkon më gjakun e kombeve të tjerë – por i ka kthyer shigjetat kundër trupit që e ka bartur.

Si një gjarpër që kafshon bishtin e tij, shoqëria serbe përballet me një ironi tragjike: urrejtja, e mbjellë si një armë kundër të tjerëve, tani helmatis rrënjët e saj.

Studenti serb, i rritur mes miteve dhe legjendave të shenjta për superioritetin kombëtar, tani endet mes pyetjeve të paqarta.

A mund ta kuptojë veten ai që është edukuar të mos i kuptojë të tjerët?

A mund t’i thyejë zinxhirët mendorë, dikush që kurrë nuk e ka parë horizontin e lirisë?

Lexo më shumë  OEGJK: Produktet nga Kosova po marrin shumë treg në Gjermani

Në përplasjen e vlerave të shkatërruara dhe nevojës për ringjallje, studentët janë bërë një metaforë e kombit që vuan mes një të kaluarje të dhimbshme dhe një të ardhmeje të pasigurt.

Kjo është një tragjedi politike dhe filozofike e një shoqërie që për dekada ka zgjedhur të gjunjëzohet para demonëve të saj, duke harruar se urrejtja nuk njeh kufij dhe se, para ose vonë, gjithmonë synon të shkatërrojë edhe krijuesin e saj.

Të rinjtë serbë që protestojnë në sheshet e qyteteve të mëdha të Serbisë përpiqen të bëhen avangardë e një epoke të re të revolucioneve intelektuale, avangardë e një periudhe që kalon kufijtë kombëtarë dhe politikë. Qëllimi i tyre është të arrijnë nivelin kulturor dhe intelektual të bashkëmoshatarëve të tyre nga rajoni, ndërkohë që janë dritë vite para sistemit totalitar që po i shtyp në çdo hap.

Lufta e tyre nuk është vetëm politike, por edhe filozofike; ata nuk kërkojnë vetëm një ndryshim të pushtetit, por një ri-definim të realitetit në të cilin jetojnë.

Veprimet e tyre zbulojnë paradoksin e regjimeve autoritare moderne: ato ushqehen me populizëm, por frikësohen nga populli.

Vuçiç, si përfaqësuesi kryesor i këtij sistemi, nuk është vetëm armiku më i madh i këtyre të rinjve, por edhe armiku më i madh i idesë së lirisë, drejtësisë, barazisë dhe dijes.

Pëpjekjet e tij për t’i lidhur ata me “opozitën e kontrolluar” zbulojnë thellësinë e frikës së tij. Sepse si mund të luftosh kundër atyre që refuzojnë të jenë pjesë e kaosit që ti vetë e ke orkestruar?

Lexo më shumë  Kurti: Investimi në KEK synon të rrisë kapacitetin e prodhimit

Filozofikisht, kjo situatë pasqyron procesin dialektik hegelian – përplasjen mes tezës (pushteti autoritar) dhe antitezës (rinia revolucionare). Forca e tyre nuk qëndron tek numri, por tek aftësia për të përdorur idetë si armë. Ndërkohë që elita intelektuale e Serbisë rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt apatisë dhe korrupsionit, këta të rinj tregojnë se drita e vërtetë nuk vjen nga titujt akademikë, por nga guximi për t’u përballur me padrejtësitë.

Kultura e protestave të tyre ndriçon një të vërtetë themelore filozofike: pushteti nuk është në duar të atyre që qeverisin, por në duar të atyre që kuptojnë. Këta të rinj janë dëshmi se dija dhe veprimi strategjik mund t’i ndriçojnë më së mirë dobësitë e regjimit. Lufta e tyre na kujton se çdo epokë ka vizionarët e saj – ata që qeshin përpara tiranisë dhe ata që vendosin themelet për një shoqëri më të lirë.

Në fund, pyetja nuk është sa janë këta të rinj intelektualisht para prindërve të tyre në Serbi, që, duke mbështetur regjimin totalitar, pavetëdijshëm pinë gjakun dhe djersën e popullit të tyre.

Pyetja është: sa larg do të shkojnë ata me forcën dhe energjinë e tyre krijuese, përpara se ndryshimi të bëhet i pashmangshëm?

YouTube player