Aksion i policisë në veri të Mitrovicës, gjenden armë dhe pajisje për kriptovaluta
Policia e Kosovës ka realizuar një aksion tjetër në veri të Mitrovicës, ku ka gjetur dhe sekuestruar armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje tjera të dyshimta.
Aksioni u realizua sot në rrugën “Kollashini” në veri të Mitrovicës, pas pranimit të një informate mbi dyshimet se në një lokacion ka mjete të dyshuara.
Policia ka njoftuar se dëshmitë e gjetura dhe të konfiskuar janë: Një armë e gjatë(pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, 42 minera për prodhim të kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i revoles, 14 fishek të revoles kalibri 9 mm, një radiolidhje, një kamerë vëzhgimi, një divijar, një vulë metalike dhe një letërnjoftim.
“Aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës. Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve’’.
Duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, Policia ka theksuar se vazhdon të mbetet e përkushtuar për ofrim të shërbimeve ndaj të gjithë komunitetit pa dallim.
Rruga Press