Flakët ‘pushtuan’ tunelin e Kalimashit! Zjarri vihet në kontroll gjatë natës, vjen ndihma nga Kosova, nis ndërhyrja nga toka dhe ajri. Rama 0 koment
Kukësi ishte vatra më e rrezikshme nga zjarri mbrëmjen e djeshme! Në momentin që u sinjalizua se flakët kishin mbërritur mbi tunelin e Kalimashit forcat zjarrëfikëse u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Ishte era ajo që ndihmoi në përhapjen e zjarrit. Mëngjesin e sotëm ka nisur puna nga toka dhe ajri për ta vënë nën kontroll zjarrin. Operacioni është përqëndruar në dy vatra zjarri, Laku i Thive dhe Qafa e Kumbullës në malin e Runës nga Malzi. Situata është kritike dhe në rrezik janë 5 banesa me rreth 30 banorë të lagjes Lepraj në fshatin Shëmri.
Terreni i thepisur e vështirësoi mbrëmjen e djeshme ndërhyrjen e zjarrfikësve nga toka ndaj u kërkua ndërhyrja nga ajri. Në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve. Edhe në Majën e Rrunës në Kukës situata e zjarrit vijon të jetë ende problematike, ndonëse gjatë ditës së djeshme helikopteri ndërhyri për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, tregoi se situata ishte e vështirë, por zjarrfikëset në terren do mundohen të bëjnë një bllokadë për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Në ndihmë për të shuar flakët kanë mbërritur edhe 5 zjarrfikëse të Kosovës, të cilët punuan me ato të Kukësit dhe Shkodrës. Drejtori i zjarrfikëseve të Kosovës, Hasan Kodra bëri më dije se nga Deçani kanë ardhur 34 zjarrfikëse, prej të cilave 9 janë automjete për terren malor. Ndërkohë që në Kukës për të ndjekur nga afër situatën ishte i pranishëm edhe presidenti Ilir Meta. Kryedemokrati Lulzim Basha falenderoi forcat nga Kosova që erdhën në ndihmë, ndërsa nga ana e kryeministrit Rama ende nuk ka asnjë reagim.
Tashmë situata është vënë në kontroll dhe nuk rrezikon bllokimi i Rrugës së Kombit.
Rruga Press