KryesoreLajme

Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e listës, Guxo dhe Alternativa, kanë prezantuar sonte kandidatët për deputetë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Listës prej 110 kandidatëve i prin kandidati për kryeministër, kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ky i fundit në fjalimin e tij ka prezantuar listën e VV-së për të cilën tha se janë njerëz me dinjitet dhe profesionalë.

“Në listën e fitores sonë të madhe në këta 110 kandidatë, gjejmë një gamë të gjerë profesionesh nga njëshi deri 110-shi gjejmë 17 mjekë, 12 inxhinierë e tre të tjerë nga shkencat ekzakte, 12 juristë, 20 ekonomistë, tetë nga shkencat politike dhe integrimet evropiane, 12 nga shkencat e tjera sociale, tre nga marrëdhëniet ndërkombëtare, tetë nga gjuha shqipe dhe ato të huaja, pesë nga gazetaria dhe komunikimi masiv, dy nga bujqësia, tre nga fusha ushtarake, tre nga arti e kultura dhe katër nga sporti”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Kurti takon ekipet e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve, konstatohet se Kosova ka arritur të realizojë shumicën e rekomandimeve për zgjedhjet

Ai tha se në listën e VV-së 41 janë gra e 69 burra, 14 janë veteranë të luftës, gjashtë nga familjet e dëshmorëve, gjashtë ish-të burgosur politikë. Numri i atyre që kandidojnë për herë të parë është 46, ndërsa i atyre që kanë kandiduar dy herë e më shumë – 64, derisa numri i kandidatëve nga mërgata është tre.

“Ata që garojnë me pragun, ata që garojnë mes vetes në garën për pretendent për garë seriozë dhe janë ata që garën e kanë me vetveten. Ne jemi krejtësisht në gara të ndara. Lëvizja VV së bashkuar me partnerët Guxo e Alternativa garon vetëm me veten, nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta – të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti priti në takim ekipe të misioneve vëzhguese të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian dhe KiE

Në dhjetëshen e parë të listës së VV-së janë edhe kryetari aktual i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla nga Guxo, ministrat Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, ministri i Bujqësisë Faton Peci nga Guxo dhe Shqipe Mehmeti Selimi.

Jashtë listës kanë mbetur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu dhe Besnik Bislimi, i cili do të jetë shef i shtabit zgjedhor.

Vetëvendosje ka udhëhequr me Qeverinë Kurti 1, e cila njihet si më e shkurtra në historinë e Kosovës – 50 ditë. Qeveria Kurti 2, e cila doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi për herë të parë një mandat të rregullt katërvjeçar. /kp/

YouTube player