KryesoreLajme

Kurti dhe Vuçiqi më 3 dhjetor takohen me Kaja Kallasin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 3 dhjetor do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Takimet e ndara në Bruksel nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.

Kallas është shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe së bashku me pjesën tjetër të komisionarëve të KE-së nisën mandatin më 1 dhjetor.

Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 26 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Lexo më shumë  BBC: Çfarë e kërcënon ende Vjosën, lumin e vetëm të egër të Europës

Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin-Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.

Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.

Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.

Kurti dhe Vuçiq në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Lexo më shumë  “Mora Fjalë” ndalohet të këndohet në 'Air Albania', reagojnë Shkurte Fejza dhe Lorik Cana

Serbia ka sulmuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet e Kosovës deri më tani kanë arrestuar disa persona të dyshuar për këtë rast dhe kanë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë operacioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin-Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi në Zubin-Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.

Rruga Press

YouTube player