KryesoreLajme

Senatori amerikan i kërkon Blinkenit që gjatë tranzicionit të pushtetit, ShBA-ja t’i mbajë sytë nga Kosova. Vendos theksin te sulmi në Banjskë

Senatori amerikan Richard Blumenthal i ka dërguar një letër sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.


Ai ka theksuar rrezikun që Serbia i ka paraqitur Kosovës ndër vite, duke përmendur sulmin e ndodhur në Banjskë në shtator të vitit 2023.


Në letrën e tij, Blumenthal ka rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë më 1999, duke theksuar se ambiciet ekspansioniste të Serbisë nuk janë shuar asnjëherë.


Ai ka shprehur shqetësim të veçantë për mundësinë që administrata e re e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, të mos angazhohet mjaftueshëm për paqen mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh qasjen e mëparshme të Trump ndaj Rusisë.

Lexo më shumë  Nxënësja e “Fan Nolit” në Tiranë: Në shkollë hyjnë me thika dhe shesin mend!  Mësuesit donin të bënim mësim që ne ta harronim 


“Duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur Trump ndaj Rusisë, kam frikë se administrata e re do të bëjë shumë pak për të inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës,” ka shkruar senatori nga Connecticut.


Blumenthal i ka bërë thirrje Blinkenit që gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit në SHBA të ketë një fokus të veçantë ndaj Kosovës.


Ai ka kërkuar përdorimin e të gjitha instrumenteve që SHBA-ja ka në dispozicion për të siguruar që Serbia të mbetet larg dhe e paaftë për të shkelur territorin e Kosovës.

Lexo më shumë  Mustafi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, shuplakë për shqiptarët


“Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet e kushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimin e Kosovës në OKB,” ka përfunduar Blumenthal.


Letra vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, duke përforcuar angazhimin e SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Rruga Press

YouTube player