Lajme

Zyra e Kryeministrit tregon çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Mickoskin para mbledhjes së dy qeverive

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje lidhur me takimin që ka zhvilluar sot kryeministri Albin Kurti me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, para mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive.

Në njoftimin e lëshuar nga ZKM thuhet se ata diskutuan rreth marrëdhënieve bilaterale dhe rëndësisë së organizimit të kësaj mbledhjeje të dytë në nivel ndërqeveritar. Ata kanë folur edhe për angazhimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Lexo më shumë  Ekonomia, peng i ndërtimit, mori 73.5% të investimeve të brendshme

“U vlerësua bashkëpunimi i dyanshëm dhe vullneti për fuqizimin e tij në fusha me prioritet e interes të përbashkët, i cili po dëshmohet edhe me arritjen dhe nënshkrimin e marrëveshjeve në arsim e energji dhe protokolli teknik për lehtësimin e lëvizjes së lirë në mes të dy vendeve. Në këtë takim u ritheksua përkushtimi dhe angazhimi i përbashkët në rrugën drejt Bashkimit Evropian, rëndësia e avancimit të të dy palëve në këtë proces dhe në rastin e Kosovës anëtarësimi në NATO gjithashtu”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, qeveritë e dy vendeve sot i kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi. Palët kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e energjisë, atë të arsimit, dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë. Kurti ka thënë se zbatimi do të nisë nga janari i vitit 2025.

Rruga Press

YouTube player