Tallje me pensionistët/ Rama u tregon përfitimet nga rritja e pagave të deputetëve
Gjatë një takimi me pensionistët në Fier, kryeministri Edi Rama komentoi një krahasim që bëhet rëndom nga kritikët e tij siç është paga e majme që përfitojnë deputetët me lëmoshën që u jep pensionistëve.
Gjatë qeverisjes së Ramës, pagat e deputetëve u rritën ndjeshëm dhe shkuan më shumë se 3 milion lekë vetëm pagë. Këtu nuk llogariten dietat që përfitojnë deputetët, pagesat për telefonin, për qiratë e paguar në Tiranë, apo bonuset për pjesëmarrje në komisione.
Ndërsa pensionet u rritën vetëm 4%, që në rastin e pensionit minimal, bejhet fjalë për rreth 3 mijë lekë të vjetra.
Në fjalën e tij, Rama u tha pensionistëve se kjo është demagogji, pasi shtesa që iu bë pagës së 140 deputetëve nuk është asgjë krahasuar me fondin e pensioneve.
Por kryeministri shkoi më tej në fjalën e tij, kur tha se pensionistët duhet të kuptojnë se nga rritja e pagave të deputetëve përfiton edhe fondi i pensioneve, pra edhe vetë pensionistët.
“Janë disa që thonë: “Pse i rrisni pagat deputetëve? Rritjani pensionistëve.” Po sikur ato pagat e deputetëve të mbulonin rritjen e pensioneve, ne i nxirrnim deputetët vullnetarë. Por 140 deputetë krhasuar me 700 mijë pensione janë një pikë uji në oqean. Kjo është demagogji e shëmtuar për të hedhur sa më shumë helm në gjakun dhe mendjen e pensionistëve. S’ka lidhje fare! Zero! Dhe e përsëris që nga rritja e pagave, përfiton fondi i pensioneve, gjithmonë” u shpreh Rama.
Pra, me logjikën e Ramës, pensionistët duhet të ndjehen mirë që deputetëve iu rrit rroga, edhe pse ata vetë nuk ia dalin dot deri në fund të muajit me pensionet e tyre. Ky është rasti kur demagogjia shkon aq larg, sa kthehet në tallje dhe cinizëm. Pavarësisht kësaj, për Ramën pati vetëm duartrokitje dhe falenderime në sallën e mbushur me pensionistët e Fier. /lapsi.al/
Rruga Press