World Justice/ Shqipëria rrëshqitje me shpejtësi drejt autokracisë
Gjeografikisht jemi në kufi të Bashkimit Europian, por nga mënyra si qeverisemi, nga llogaridhënia e pushtetit, nga respektimi i të drejtave të njeriut apo nga niveli i korrupsionit, shqiptarët nuk arrijnë dot as vendet e Afrikës si Gambia apo Suriname, madje as Ukrainën e çorientuar nga lufta me Rusinë.
Konkluzionet i nxjerr raporti i Indeksit të Zbatimit të Ligjit, i publikuar nga organizata World Justice që prej vitesh lëshon sinjale shqetësuese se Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë.
Për ta kuptuar më mirë çfarë tregon raporti i Indeksit të Ligjit, vlen krahasimi me Vietnamin.
Republika Socialiste e Vietnamit sipas njëjtit raport, dy vite më parë, renditej në vendin e 84, kurse Shqipëria e ndiqte pas në vendin e 87. Pra me Vietnamin na ndanin 2 vende, Belize dhe Gambia.
Këtë vit, diferenca sipas World Justice është thelluar. Shikoni tabelën më poshtë.
Republika Socialiste e Vietnamit është përmirësuar dhe pozicionohet në vendin e 81. Situata në Shqipëri është përkeqësuar dhe tani ajo pozicionohet në vendin e 89. Në mes qëndrojnë disa vende të Afrikës, apo edhe Ukraina.
Raporti i World Justice është tregues se qeveria jep më pak llogari, se abuzimi me pushtetin është gjithnjë e më i madh, se të drejtat e qytetarëve respektohen gjithnjë e më pak dhe se demokracia në tërësi është në përkeqësim.
Raporti tregon se Shqipëria është ende shumë larg vendeve të Bashkimit Europian drejt të cilave aspirojmë të integrohemi. Madje e kundërta po ndodh: po i ngjajmë vendeve të Azisë së Largët apo Afrikës, me nivel korrupsioni dhe autokraci të konsoliduara.
Shqipëria e ka një tregues kampion. Ky është niveli i korrupsionit. Prej vitesh renditemi në vendin e parë në Europë, sipas World Justice. Pak javë më parë të të njëjtin përfundim arrinte edhe një organizatë tjetër SELDI, (një organizatë e financuar nga Bashkimi Europian që vëzhgon korrupsionin dhe qeverisjen në vendet e Europës Juglindore). Edhe sipas saj, qeverisja në Shqipëri konsiderohej më e korruptuara e Europës Juglindore
Ndërkohë bie në sy se një trend të ngjashëm me Shqipërinë po ndjek edhe Serbia, që këtë vit ka një rënie drastike në renditjen e përgjithshme. Në krah të kundërt me ta lëviz Kosova dhe Mali i Zi që qëndrojnë shumë më lart për nga kriteret e qeverisjes dhe korrupsionit mes vendeve të rajonit.
Rruga Press