Bie numri i atyre që deklarohen si malazezë në Mal të Zi, Filipoviq: Fushata serbe dhe Kisha Ortodokse ndikuan
Në Mal të Zi, 41.1 për qind e qytetarëve u deklaruan si malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë. Këto shifra u dhanë nga rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, që u bë në dhjetor të vitit 2023 nga Drejtoria e Statistikave në këtë vend, MONSTAT.
Duke e krahasuar me regjistrimin e parafundit – më 2011 – 45 për qind ishin malazezë dhe rreth 29 për qind ishin serbë.
Ndërkaq, në pyetjen se çfarë gjuhe flasin, 36.2% thanë gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe.
Për këtë rënie të numrit të atyre që deklarohen si malazezë ka reaguar analisti politik malazez, Ljubomir Filipoviq, i cili tha se fajtore për këtë është fushata e Serbisë dhe kishës serbe kundër identitetit malazez.
“Numri i malazezëve (qytetarë që identifikohen kombëtarisht dhe etnikisht si malazezë) ka rënë ndjeshëm nga 45% në 2011 në 41% në 2023, sipas rezultateve të regjistrimit të publikuara sot nga Zyra Kombëtare e Statistikave të Malit të Zi. Fushata kundër identitetit malazez, e shtyrë nga shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe, duket efektive, me një rënie nga 62% në 1991. Përveç kësaj, vetëm 34.5% tani e quajnë gjuhën e tyre malazeze”, ka vërejtur me shqetësim ai.
Sipas fesë, qytetarët e Malit të Zi ndahen në ortodoksë 71.1%, myslimanë 20% dhe katolikë 3.2%.
Të dhënat e fundit tregojnë, po ashtu, se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë, 2% rusë dhe 1.6% myslimanë.
Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve duket stabil: më 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë 30.978.
Në regjistrimin e fundit, rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan.
Në Mal të Zi, përndryshe, jetojnë 623.633 banorë.
Serbia bashkë me aleatin e saj, Rusinë, si dhe Kishën Ortodokse Serbe përmes forcave politike pro-ruse dhe pro-serbe përpiqen vazhdimisht që të ndikojnë në popullin malazez për t’i orientuar drejt Moskës dhe Beogradit. Ky orientim u komentua edhe si rrezik për integrim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu si rrezik i marrëdhënieve ndëretnike dhe qëndrueshmërisë në rajon.
Shqetësimi për këtë u rrit kur partia proruse Fronti Demokratik (DF) ka hyrë në Qeverinë e Malit të Zi në zgjedhjet e fundit.
Kreu i Parlamentit të Malit të Zi është Andrija Mandiq, i cili është kryetar i Demokracisë së Re Serbe të krahut të djathtë.
Kur hyri kjo parti proruse në qeveri, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliq, tha se Qeveria do të menaxhohet nga Moska dhe Beogradi.
“Koka dhe truri janë në Moskë. Koka e kësaj qeverie është [kryetari i Parlamentit] Andrija Mandiq, prandaj në të nuk ka asnjë malazez”.
Atëherë kishte reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë e cila shprehu shqetësim për përfshirjen në qeveri të partive dhe liderëve që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Edhe Bashkimi Evropian kishte reaguar dhe kishte paralajmëruar “fuqishëm kundër çdo vendimi që mund të rrezikojë rrugën strategjike të vendit drejt BE-së, e cila mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve malazezë”./The Geopost/
Rruga Press