MI5 thotë se Rusia dhe Irani qëndrojnë pas rritjes së komploteve vdekjeprurëse në Britani
Britania po përballet me një “rritje marramendëse” të tentativave për vrasje në tokën e saj nga Rusia dhe Irani, pasi shtetet armiqësore rekrutojnë kriminelë për të “bërë punën e tyre të pistë”, ka deklaruar të martën kreu i agjencisë së inteligjencës së brendshme të Britanisë së Madhe.
Drejtori i Përgjithshëm i MI5, Ken McCallum ka thënë se agjentët dhe policia e tij kanë trajtuar 20 komplote të mbështetura nga Teherani që nga viti 2022, teksa ka paralajmëruar se Irani mund të zgjerojë objektivat e tij në Mbretërinë e Bashkuar nëse Izraeli fillon një sulm të madh në përgjigje të breshërisë së raketave të Iranit, raporton AP.
Shefi i spiunazhit ka thënë se konfliktet në rritje në Lindjen e Mesme rrisin rrezikun e “një rritjeje ose zgjerimi të agresionit shtetëror iranian në Mbretërinë e Bashkuar”.
Në një fjalim të rrallë publik ku ka paraqitur kërcënimet kryesore për Mbretërinë e Bashkuar si nga shtetet ashtu edhe nga grupet terroriste, McCallum ka thënë se ekziston gjithashtu rreziku që konfliktet e Izraelit me grupet militante të mbështetura nga Irani – Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Houthis në Jemen, mund të shkaktojnë sulme terroriste në Mbretërinë e Bashkuar.
Numri i hetimeve të kërcënimeve shtetërore të ndërmarra nga MI5 është rritur me 48% në vitin e kaluar, teksa Irani, Rusia dhe Kina janë autorët kryesorë, u ka thënë McCallum gazetarëve në qendrën komanduese kundër terrorizmit të Mbretërisë së Bashkuar në Londër.
Rruga Press