Kurti: Kosova do t’i rezistojë presionit perëndimor për kompromis me Serbinë
Kosova planifikon të ushtrojë sovranitet të plotë mbi çështjet e veta dhe do t’i rezistojë presionit perëndimor për kompromis me Serbinë, ka thënë kryeministri Albin Kurti, siç e citon prestigjiozja britanike “Finacial Times”.
Për gazetën britanike Kurti ka thënë se veprimet dhe politikat e tij në veri nuk janë kundër serbëve të Kosovës, por kundër grupeve kriminale të Serbisë.
“Jo kundër serbëve, por kundër aktiviteteve të paligjshme të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar së çështjet brenda territorit të Kosovës janë çështje ekskluzive të Kosovës, ndonëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për koordinim.
“Nuk ka… sfida të sigurisë që ne nuk mund t’i menaxhojmë dhe kontrollojmë”, ka shtuar kryeministri.
Ai ka mohuar se veprimet e Qeverisë në veri po bëhen për poena politik.
“Për mua kjo është punë si zakonisht”, ka theksuar Kurti.
“Sfidat më të rënda të sigurisë në këtë shekull ndodhën gjatë mandatit tim”, ka shtuar ai.
Në vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Kurti në këtë intervistë ka paralajmëruar për kërcënime të vazhdueshme nga Serbia ndaj stabilitetit rajonal.
“Që nga sulmi terrorist Në Banjska një vit më parë nga ky grup paramilitar i udhëhequr nga famëkeqi Milan Radojçiq, sasia e informatave që po marrim për aktivitetet ilegale është e madhe”, ka thënë Kurti.
Paqësimi i Serbisë ishte një gabim ka theksuar Kurti, teksa ka akuzuar shtetin serb për bashkëpunim me Moskën.
“Siguria në rajon është viktimë. Është shumë e rëndësishme që BE-ja të jetë e qartë, e vendosur dhe e shpejtë”.
Më tej kryeministri kosovar ka folur edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, temë kjo që u ri aktualizua së fundmi.
“Ne duam një urë normale. Një urë normale është një urë e hapur; të vetmit që gëzojnë një urë të mbyllur janë ata që ende ëndërrojnë ndarjen e Kosovës… Evropa rrëzoi muret. Nuk është në rregull të këmbëngulësh për një urë të mbyllur”, ka pontecuar Kurti.
Krahas kësaj Kurti ka komentuar edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, teksa ka theksuar se nuk mund të ketë një Asociacion siç do Beogradi.
“Unë dua që askush të mos jetë i privilegjuar dhe për këtë arsye askush të mos diskriminohet. Nuk mund të ketë super-pakicë siç dëshiron Beogradi”, ka shtuar Kurti.
Rruga Press