Bastisja në Leposaviq, sekuestrohen afro 6 milionë dinarë, 57 mijë dollarë e 10 mijë euro
Policia e Kosovës ka njoftuar se pa bastisjeve që ka kryer në në një bankë dhe në degën e Thesarit të Serbisë në Leposaviq janë sekuestruar miliona dinarë e dhjetëra mijëra dollarë e euro.
“Lidhur me rastin, më 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serbë, 57,626.00-dollarë amerikanë, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Në rastin që është cilësuar si shpërlarje e parasë dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike po ashtu thuhet se janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që theksohet se dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.
“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë kryer në konsultim e koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës ka bastisur Bankën Popullore të Serbisë dhe degën e Drejtorisë së Thesarit të Serbisë në Leposaviq.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni është zhvilluar me urdhër të gjykatës në Mitrovicë të Veriut.
Rruga Press