Muja: Nëse s’do të ishim ne, do të mungonin 1 miliard euro në buxhet
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, ka theksuar se rritja e përqindjes së buxhetit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) ka arritur në 26% krahasuar me 22% në të kaluarën.
Ai ka thënë se kjo rritje është rezultat i efektit të rritjes së çmimeve dhe pritet të arrijë deri në 27% këtë vit.
Muja e lidh këtë rritje me suksesin e politikave fiskale të Qeverisë Kurti, duke theksuar se pa këtë qeveri, buxheti i shtetit do të kishte humbur 1 miliard euro.
Kjo sipas tij, do të kishte çuar në mungesën e financimeve në disa programe, përfshirë shtesat për fëmijë dhe buxhetin për ushtrinë.
“Është rrit GDP nominale po ka qenë 22 për qind buxheti, të hyrat tatimore kanë qenë 22 – 23 për qind. Derisa kemi ardhur ne ka shkuar në 26 për qind në raport me GDP nominale kjo e faktorizon ose e inkorporon edh efektin e rritjes së çmimeve dhe prapë me këtë logjikë ka shkuar 26 dhe ndoshta këtë vit do të jetë 27 për qind. Me këtë, duhet ta them se po të mos ishim ne, e them me përgjegjësi të plotë që 1 miliardë euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin. Dhe rrjedhimisht i gjithë financimi i shtesave për fëmijë i gjithë financimi për ushtrinë do të mungonte. Pra kjo është origjina e financimit të programit qeveritar, nuk kemi pasur ne mundësi ndryshe me financu përpos administrimit të mirë politikës fiskale dhe formalizimit”, ka deklaruar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputeti Muja.
Rruga Press