Hyn në fuqi udhëzimi administrativ që i hap rrugë MPB-së që të shfrytëzojë pasurinë e Radoiçiqit
Udhëzimi administrativ që i hap rrugë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të shfrytëzojë vilën milionëshe buzë liqenit të Ujmanit, banesën dhe restorantin në Mitrovicë të Veriut të MIlan Radojicicit, organizatorit të sulmit në Banjskë, tashmë ka hyrë në fuqi.
Megjithatë MPB-ja, vazhdon të jetë e mbyllur sa i përket dhënies së informacioneve se kur dhe për çfarë do të shfrytëzohet vila nga Policia e Kosovës.
Jozyrtarisht ATV-së i është thënë se kryesisht vetëm oborri i vilës do të mund të shfrytëzohet për logjistikë.
Ndërkohë njohës të sigurisë thonë se vila, u shfrytëzua për poenë politikë nga ministri Xhelal Sveçla. Sipas tyre ajo nuk i përmbush kushtet që të shfrytëzohet si stacion policor.
Njësitë speciale do të qëndrojnë për të ofruar siguri, sipas kërkesave të menaxhmentit të Policisë.
Udhëzimi, të cilit i është shtuar vetëm një nen, ai 21/A do të mundësojë dhënien me qira, dhe shitjen e pasurisë së paluajtshme, pa ankand publik, kur kërkesa për shfrytëzim do të jetë nga një institucion shtetëror edhe në rastet e tjera.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të pasurisë së sekuestruar të të dyshuarit kryesor për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Radojicic, deri në një vendim përfundimtar./atvlive
Rruga Press