Blerja e banesave/ Bankat në Shqipëri fillojnë të nuhasin riskun në ndërtim, shtrëngojnë kreditë
Lejet që qeveria jep në seri për ngritjen e kullave të larta deri në qiell duket se kanë filluar të trembin edhe bankat, të cilat kanë filluar të nuhasin risk në sektorin e ndërtimit. Banka e Shqipërisë raportoi se shumë prej bankave private kanë filluar sakaq të marin masat duke e bërë më të vështirë kreditimin për blerjen e banesave.
“Kushtet e ofertës për kredi të individëve ishin të fragmentuara në këtë tremujor, të shprehura në lehtësim të tyre për kreditë konsumatore dhe në shtrëngim për kreditë e dhëna në financimin e blerjeve të banesave,” deklaroi BSH në raportin e fundit të Politikës Monetare.
Zgjerimi i vrullshëm i tregut të ndërtimit ka krijuar jo pak shqetësim në opinionin e gjerë për një fluskë të mundshme të sektorit. Ky është një risk që tani me sa duket kanë filluar ta ndjejnë edhe bankat.
“Zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave konsiderohen prej disa bankave si faktori kyç në shtrëngimin e standardeve, kushteve e termave të kreditimit për kreditë lëvruar individëve në këtë tremujor,” deklaron BSH.
Në tre vitet e fundit sektori i ndërtimit është rritur me ritme dukshëm më të larta se sa pjesa tjetër e ekonomisë. Nga ana tjetër pavarësisht shtimit masiv të ofertës nga ndërtimet e reja, të njëjtën trajektore kanë ndjekur edhe çmimet.
Në dy vitet e fundit ky zgjerim i ndërtimit është mbeshtetur fuqishëm nga bankat përmes kredisë për blerje banesash, e cila ka qenë në nivelet më të larta historike. Por me sa duket tashmë bankat kanë filluar të zmbrapsen nga kreditimi masiv i banesave për shkak të risqeve që perceptojnë.
A është kjo sjellje thjesht një korrektim nga nivelet e larta të dy viteve të fundit apo ka brenda saj edhe perceptimin e një krize të mundshme? Kjo do të bëhet më e qartë gjatë tre mujorëve në vijim. Ndërsa shtrëngimi i kredisë për blerje banesash do të vazhdojë, atëherë bankat po nuhasin më shumë se thjesht risk.
Rruga Press