KryesoreLajme

Qeveria e Kosovës ndan 7.3 milionë euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore

Qeveria e Kosovës ka ndarë 7,375,138.00 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Ky vendim u mor më 14 gusht 2024, në mbledhjen e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, pas aprovimit të kërkesës së Ministrisë së Arsimit për ndarjen e këtyre mjeteve.

Nga kjo shumë, 6.5 milionë euro janë marrë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike.

“Për Arsim do të ndajmë 6.5 milionë euro për të kompletuar shumën e nevojshme për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Pra, edhe këtë vit do të subvencionojmë tekstet mësimore për nxënësit e shkollave,” deklaroi kryeministri Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se mjetet e ndara vijnë nga kategoria “subvencione dhe transfere” dhe do të transferohen në ministritë përkatëse.

Lexo më shumë  Kosova e Arabia Saudite me marrëveshje për fillimin e linjave ajrore direkte

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media më 13 gusht 2024, njoftoi se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave, ashtu siç ishte bërë në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se këtë vit do të subvencionohen edhe prindërit e nxënësve të klasave 6–9 për blerjen e librave, pasi vitin e kaluar u ishte ndarë buxhet vetëm për mjete shkollore.

Në vitin shkollor 2023/2024, prindërit e nxënësve të klasave 1 deri në 5 u subvencionuan me nga 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, ndërsa ata të klasave 6 deri 9 me 30 euro vetëm për mjete mësimore. Për vitin shkollor 2024/2025, prindërit e nxënësve të klasave 1 deri 5 do të marrin përsëri nga 80 euro, ndërsa ata të klasave 6 deri 9 do të subvencionohen me nga 110 euro.

Lexo më shumë  Ministria e Kulturës ndan 604 tituj librash për bibliotekat komunale të vendit

As ministrja Nagavci, as zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, nuk dhanë detaje për çmimet e librave dhe vlerën e saktë të buxhetit të ndarë për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

Sipas Kelmendit, një pjesë e mjeteve do të shkojë për tekste shkollore dhe pjesa tjetër për furnizim të materialeve shkollore, por shifrat finale do të varen nga numri i atyre që do të aplikojnë.

Ky është viti i dytë që Ministria e Arsimit po zbaton formën e subvencionimit të blerjes së librave përmes prindërve. Aplikimi për subvencionim përmes platformës online e-Kosova është hapur sot, më 14 gusht 2024.

Ndërkohë, dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë mbajtur konferenca për media duke kritikuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e librave dhe mjeteve mësimore.

Rruga Press

YouTube player