Kurti: Me pagesën e rrymës në veri u mbyll përgjithmonë vrima prej ku rridhte paraja e buxhetit tonë
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, ka deklaruar të dielën se me nisjen e pagesës së rrymës në veri është mbyllur një vrimë prej së cilës ka rrjedhur pandërprerë paraja publike. Në mbledhjen e 55-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ai, po ashtu, deklaroi se strukturat paralele po mbyllen dhe po zëvendësohen me struktura shtetërore të Kosovës. Ka prekur edhe shumë tema të tjera
Një vrimë prej nga rridhte para e buxhetit të Kosovës është mbyllur përgjithmonë, ka thënë të dielën kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai në mbledhjen e 55-të të Këshillit të partisë ka prekur shumë tema, e po ashtu edhe i ka thurur lavde qeverisë që udhëheq.
“Në këtë gjashtëmujor për herë të parë fillojë edhe regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit dhe inkasimi për konsum të energjisë. Në fund e pas një kohe shumë të gjatë e cila matet me dekada e jo me vite, vrima prej të cilës rrjedhje pa ndërprerë e ma masë paraja e buxhetit tonë, po mbyllet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Kurti para anëtarësisë së LVV-së
Si arritje ka përmendur avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar.
Është shprehur po ashtu se aleati më i madh i Kosovës është SHBA-ja dhe se “NATO-n e duam në Kosovë e Kosovën e duam në NATO”.
Ka folur edhe për strukturat paralele të Serbisë, të cilat sipas tij, po zëvendësohen me struktura të Kosovës.
“Strukturat ilegale po mbyllen. Shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Republikës së Kosovës. Nuk ka amnisti, sepse ajo do të ishte padrejtësi ndaj viktimave, qytetarëve dhe shtetit tonë pa dallim. Ka respektim të rendit dhe të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, pluralizmit politik si thelb të demokracisë në institucione të shtetit dhe në shoqërinë mbarë”, është shprehur ai.
Kurti ka theksuar se bashkatdhetarët tash kanë arsye për t’u kthyer e rinia nuk ka arsye të largohet nga Kosova shkaku, siç tha, i rritjes ekonomike, stabilitetit institucional dhe shtrirjes së sovranitetit.
Kurti në fjalimin e tij preku shumë tema, përfshirë edhe atë të energjisë. Ka theksuar se investimi nga Marrëveshja me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit të SHBA-së do ta bëjë Kosovën shtetin me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.
E thuajse gjysmën e fjalimit në këtë mbledhje ua kushtoi çështjeve organizative. Lideri i Vetëvendosjes u shpreh se partia që udhëheq kurrë nuk ka pasur mbështetje më të madhe, por kërkoi mobilizim, si të Rinisë për Vetëvendosje, Grave për Vetëvendosje, por edhe anëtarëve që mbajnë pozita të larta, siç janë deputetët e asamblistët.
Lidhur me numrin e anëtarësisë, Kurti ka thënë se në Vetëvendosje janë 60.500 anëtarë.
Rruga Press