Ministrja Gërvalla pret në takim lamtumirës ambasadoren e Holandës
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka pritur të premten në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Siç ka njoftuar MPJD-ja, ministrja Gërvalla e falënderoi ambasadoren për rolin e saj si ambasadore në Kosovë, për mbështetjen e dhënë gjatë proceseve jo të lehta për sigurinë në Kosovë dhe rajon si dhe i uroi suksese të mëtutjeshme në misionin e ri.
Gjatë këtij takimi, Gërvalla dhe ambasadorja Lobbezoo biseduan edhe rreth progresit të arritur viteve të fundit nga Republika e Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe në politikën e jashtme, proceset integruese si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme.
Ministrja Gërvalla e vlerësoi lart kontributin e ambasadores në fuqizimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes.
Rruga Press