Haxhiu: Sfidë bashkëpunimi juridik me Serbinë për lirimin e shqiptarëve të arrestuar
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e konsideron sfidë mosbashkëpunimin juridik me shtetin serb, për ekstradimin e shqiptarëve të arrestuar nga Serbia.
Tek ka folur për letrën që javën e kaluar ia ka dërguar homologes serbe, me të cilën ka kërkuar transferimin e shtetasve të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgime në Serbi, Haxhiu ka thënë se këtë çështje e ka ngritur edhe me partnerët ndërkombëtarët, pasi konsiderojnë që është e qëllimshme, politike dhe e padrejtë.
“Ju e dini që në vazhdimësi e kam përmendur sfidën që Republika e Kosovës ka në kuptim të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në këtë rast të bashkëpunimit juridik me Serbinë sepse Serbia është ajo e cila i mban kriminelët e luftës në territorin e saj e po ashtu kriminelët të cilët kryejnë krime në kohë të paqes. Në këtë drejtim në vazhdimësi është sfidë bashkëpunimi juridik me Serbinë, por duke qenë që ka qindra raste që padrejtësisht arrestohen në Serbi të qytetarëve tanë pra qytetarëve shqiptarë të cilët për nevojat e tyre kalojnë kufirin andej kinse mbi pretendimet për krime të luftës por edhe për vepra të tjera, ne kemi ngritur këtë çështje edhe me partnerët tanë sepse konsiderojmë që është e qëllimshme, është politike dhe është e padrejtë”, ka thënë Haxhiu, raporton EO.
Ajo u shpreh se nga lista që kanë marrë nga shteti serb, ka parë që shqiptarët janë arrestuar me pretendime për krime lufte. Andaj, kanë kërkuar të njëjtit të transferohen në Kosovë dhe të ballafaqohen me sistemin e drejtësisë.
“Ne kemi vlerësuar që është e rëndësishme që t’i drejtohemi Ministres së Drejtësisë së Serbisë, me qëllim që ata qytetarë tanë të transferohen në Republikën e Kosovës dhe të ballafaqohen me sistemin tonë të drejtësisë mbi pretendimet të cilët ata i konsiderojnë”, është shprehur Haxhiu, duke shtuar se ende nuk ka marr përgjigje.
Haxhiu ka thënë se Serbia nuk është duke i ekstraduar as terroristët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
“Nuk mund të them që do të kemi apo jo përgjigje por duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik dhe duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon në Kosovë as kriminelët që kanë kryer krime lufte në Kosovë pra kriminelët serb që kanë kryer krime lufte në Kosovë në kohë të luftës dhe nuk i dorëzon as kriminelët apo terroristët që kanë kryer sulme terroriste, referuar sulmit terrorist në Banjskë”, ka thënë Haxhiu, në një deklarim për media pas mbajtjes së tryezës me donatorë për Strategjinë për drejtësi tranzicionale.
Haxhiu ka kërkuar nga autoritet e Serbisë transferimin e katër shtetasve të Kosovës që aktualisht po mbahen në burgjet e Serbisë.
Nezir Mehmetaj u arrestua më 2020 në Merdare, në njërën prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),është ndaluar po ashtu, në Merdare, në janarin e këtij viti.
Sadik Duraku u ndalua më 17 prill të po këtij viti, në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë.
Atij i është vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.
Ndërsa, Tefik Mustafa u arrestua më 1 qershor në Merdare.
Rruga Press