Gërvalla për anëtarësimin në KE: Kosovës gjithmonë i kërkohet ti mbipërmbushë kërkesat
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosovës gjithmonë i kërkohet të mbipërmbushë kërkesa për të fituar mundësitë sikur të shteteve të tjera, teksa ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe liberalizimin e vizave.
Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Gërvalla ka folur të shtunën për dështimin e Kosovës që të anëtarësohet në KiE. Ajo ka kujtuar se në Asamblenë Parlamentare Kosova mori mbi 80 për qind të votave pro, ndërsa ministrat e Jashtëm nuk e futën në rend dite për anëtarësim, duke e përmendur çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kriter.
“Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kosova ka marrë votën shumë të qartë me 82 për qind të të gjitha votave që kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës, për dhënien e mendimit, rekomandimit për ministrat që ta ftojnë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ndërsa kanë deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat para anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe këtu jemi për momentin”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se shpreson që Kosova të anëtarësohet sivjet në KiE.
“Një është e qartë, kurdo që ndodh, Kosova deri më 24 prill i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Gjithçka tjetër është politikë. Ajo që ishte shumë e rëndësishme për ne në Kosovë për ta arritur ishte të tregojmë standardet më të larta të sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtave të njeriut, të drejtave të shumicës në vendin tonë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që ne nga Kosova mund të dërgojmë. Gjithçka tjetër është pjesë e diskutimit që po bëjmë dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi sukses”, ka thënë ajo.
Këtu Gërvalla ka theksuar se Kosovës gjithmonë i duhet t’i mbipërmbushë kërkesat për të marrë mundësitë sikur të shteteve të tjera.
“Është e vërtetë që Kosova gjithmonë duhet t’i mbipërmbushë kërkesat në mënyrë që ne të kemi të njëjtat mundësi si të tjerët. Liberalizimi i vizave është vetëm një shembull i kësaj dhe ne shohim që në gjashtë muajt e fundit qytetarët e Kosovës mund të gëzojnë të mos jenë populli i izoluar në Evropë, por jo vetëm Lituania, jo vetëm vendet baltike, jo vetëm fqinjësia jonë, por gjithnjë e më shumë vende të Evropës po e kuptojnë që Kosova nuk është vetëm shtet sovran dhe i pavarur, por shtet ku vlerat evropiane, parimet evropiane janë thelbi i ekzistencës së shtetit tonë”, ka thënë ajo.
Rruga Press