Konjufca e falënderon për mbështetjen ambasadoren holandeze në largim
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Sipas komunikatës nga Kuvendi, Konjufca e falënderoi ambasadoren për kontributin për përafrimin e mëtejshëm dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, që ndajnë vlerat, synimet dhe interesa të përbashkët.
“Kryetari Konjufca tha se Holanda është një shtet mik që është gjendur përkrah Republikës së Kosovës nëpër periudhat e shtetndërtimit, me angazhimin e saj të vazhdueshëm, gjë që i jep Holandës një vend të veçantë të mirënjohjes në vendin tonë. Ai tha se ambasadorja Lobbezoo është pjesë e kësaj ecurie të përbashkët, për çka ka edhe mirënjohjen tonë”, theksohet në komunikatë.
Tutje thuhet se ambasadorja holandeze, Carin Lobbezoo shprehu bindjen se edhe pas përfundimit të mandatit të saj do të vijojë kjo traditë e bashkëpunimit të mirë, angazhimit dhe gatishmërisë për të fuqizuar edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Rruga Press