KryesoreLajme

Gërvalla: Përgjigjja më e mirë ndaj agresionit rus, integrimi i shteteve proevropiane

Në takimin e rregullt të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, të hënën në Luksemburg është theksuar nevoja e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllok dhe vendosja e stabilitetit në këtë rajon.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila përfaqësoi Kosovën në këtë takim, tha se përgjigjja më e mirë ndaj agresionit rus është integrimi i shteteve proevropiane në Bashkimin Evropian.

“Erdhëm sot në Luksemburg për të diskutuar për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, dhe jo vetëm të Ballkanit Perëndimor. Dhe besoj se kjo është tema kryesore, duke parë integrimin e të gjithë Evropës, të atyre vendeve që u përmbahen vlerave evropiane, të cilët mbështesin parimet evropiane, dhe nuk janë vetëm çështje politike, por janë më shumë çështje sigurie në Evropë. Në kohën kur në Evropë po përballemi me agresionin rus kundër Ukrainës, një Bashkim Evropian më i fortë është një përgjigje më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave të së sotmes dhe të së ardhmes”, ka deklaruar ajo.

Lexo më shumë  Kosova tregti të lirë me Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë e Zvicrën

Gërvalla të njëjtën gjë e potencoi edhe para takimit në Luksemburg, gjatë një vizite në Vjenë. U shpreh se qytetarët e BE-së duhet të binden se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor e bën bllokun më të fortë.

E ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen në jetësimin e reformave evropiane për ta fituar anëtarësimin në BE. Po ashtu, theksoi se është e rëndësishme që këto shtete të arrijnë zgjidhje për çështjet e pazgjidhura.

Lexo më shumë  Takimi me Plenkovic, Kurti: Diskutuam për sigurinë në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit në arsim e mbrojtje

“Stabiliteti i brenda dhe jashtë vendit vazhdon të jetë esenciale, prandaj shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen në reformat e BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat fondamentale, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura. Sidoqoftë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbyllin plagët e vjetra dhe jo t’i rihapin ato apo të shkaktojnë plagë të reja, kjo bëhet vetëm duke i vendosur raportet në nivelin që krijojnë stabilitet politik, siguri në rajon dhe jashtë saj”, ka shtuar Radman.

Kryetemë e takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg ishte: Sfidat e Politikës së Jashtme dhe të sigurisë gjatë viteve të ardhshme në BE, me fokus në rritjen e ndihmës për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Rruga Press

YouTube player