BE-ja anashkalon Hungarinë, 1.4 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe civile në drejtim të Ukrainës
Bashkimi Europian ka gjetur mënyrën ligjore për të anashkaluar veton e Hungarisë për të blerë armë për Ukrainën, nga përfitimet e gjeneruara nga asetet e ngrira këtë vit të Rusisë. Ky vendim mund t’i hapë gjithashtu rrugën G7 për t’i dërguar Kievit 50 miliardë dollarë.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell u shpreh për Financial Times se duke qenë se Hungaria abstenoi nga një marrëveshje e mëparshme për të lënë mënjanë të ardhurat nga asetet e ngrira të Rusisë, “nukl ka pse të jetë pjesë e vendimmarrjes për mënyrën sesi do të përdoren ato para.”
Ai shtoi se zgjidhja, falë së cilës do të zhbllokohen të hënën 1.4 miliardë euro për blerjen e pajisjeve ushtarake me destinacion Kievin, është “po aq e sofistikuar sa çdo vendim ligjor”, por shtoi se rezultoi e suksesshme.”
Anashkalimi i Budapestit në këtë mënyrë mund të heqë gjithashtu një pengesë që mund të komplikojë përpjekjet e G7 për të mbledhur një hua prej 50 miliardë dollarësh për Kievin deri në dhjetor, një vendim i marrë nga udhëheqësit në një samit në Itali në fillim të këtij muaji.
Asetet me vlerë rreth 210 miliardë euro janë të palëvizshme në BE, pjesa më e madhe e të cilave është në Belgjikë, dhe blloku në fillim të këtij viti ra dakord të përdorë fitimet e krijuara që nga shkurti për të blerë armë për Ukrainën.
Hungaria, shteti anëtar më pro-rus i BE-së, ka argumentuar prej kohësh kundër bllokut prej 27 vendesh që kolektivisht ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Budapesti po bllokon gjithashtu shtatë vendime të tjera në lidhje me armatosjen e Kievit, me vlerë rreth 6.6 miliardë euro.
Rruga Press