Bota

BE-ja bie dakord për sanksione të reja të fuqishme ndaj Rusisë, duke synuar për herë të parë gazin rus

BE-ja ka rënë dakord të vendosë një grup të ri sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar për herë të parë furnizimet me gaz natyror të lëngshëm (LNG), të cilin disa shtete anëtare të bllokut vazhdojnë ta blejnë pavarësisht luftës në Ukrainë.

Bëhet e ditur se sanksionet përfaqësojnë paketën e 14-të të zbatuar që nga shkurti i vitit 2022 dhe vijnë në një kohë delikate në fushën e betejës, ndërsa trupat ruse përpiqen të fitojnë territore të tjera ukrainase.

Paketa është rezultat i negociatave të stërzgjatura midis ambasadorëve, të cilët kaluan javë të tëra duke diskutuar mbi detaje shumë teknike.

Miratimi i saj u vonua disa herë për shkak të rezervave të shprehura nga disa vende, përfshirë Hungarinë, e cila më parë ishte zotuar të bllokonte çdo sanksion në sektorin e energjisë.

Megjithatë, pengesa e fundit ishte Gjermania me klauzolën “jo Rusisë”. Brukseli i dha shtetit gjerman më shumë kohë për t’i zgjidhur gjërat, duke pritur përfundimin e takimit të G7 në Itali dhe Samitit të Paqes në Zvicër. E së fundmi, vendi ka sinjalizuar se ka përparime që i hapin rrugë marrëveshjes.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Megjithatë, kufizimit të gazit i mungon një ndalim i përgjithshëm i importit, siç bëri blloku më parë me qymyrin dhe naftën, dy nga burimet më të mëdha të të ardhurave ruse.

Në vend të kësaj, vendet do të lejohen të blejnë gazin rus, por do t’u ndalohet rieskportimi i tij në vende tjera, shkruan euronews.

Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), një organizatë e pavarur që gjurmon lëndët djegëse ruse, vlerëson se në vitin 2023 blloku pagoi 8.3 miliardë euro për 20 miliardë metra kub gaz rus, që përfaqëson 5 për qind të totalit.

Rreth 22 për qind e këtyre furnizimeve janë transmetuar globalisht, me 1,6 metra kub të dërguara në shtetet tjera anëtare, sipas CREA-s. Pjesa tjetër ka shkuar në Kinë, Indi dhe Turqi .

Por, sanksionet e reja evropiane synojnë të frenojnë këtë biznes fitimprurës dhe të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të mbledhur fonde për luftën e saj në Ukrainë.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Siç raportohet, sanksionet synojnë edhe tre projekte LNG me bazë në Rusi, të cilat ende nuk janë funksionale, si Arctic LNG 2, Ust Luga dhe Murmansk.

Kufizime të tjera trajtojnë përdorimin e filialeve nga kompanitë e BE-së të vendosura jashtë bllokut që po shfrytëzohen për të ridrejtuar mallrat e ndaluara drejt Moskës.

“Kjo paketë goditëse do t’i mohojë më tej Rusisë qasjen në teknologjitë kryesore”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Kjo do t’i heqë Rusisë të ardhura të mëtejshme nga energjia. Dhe do të trajtojë flotën hije të Putinit dhe rrjetin bankar në hije jashtë vendit”, shtoi ajo.

Ndryshe, paketa e 14-të përfshin edhe “mjete juridike” për të lejuar kompanitë të kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara nga Rusia.

Sanksionet do të hyjnë në fuqi pas publikimit të tyre në gazetën zyrtare të BE-së, që pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

YouTube player