S’ka pajtim në BE për heqjen e plotë të masave
Masat ndaj Kosovës pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht dhe kjo pritet të bëhet e ditur “në ditët në vijim” i kanë thënë KOHËS burimet diplomatike në BE.
Heqja “graduale” e masave të vendosura para një viti thuhet se është një kompromis i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pasi nuk janë pajtuar të gjitha se Kosova i ka përmbushur në tërësi kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së kanë diskutuar për heqjen e masave ndaj Kosovës të mërkurën në Komitetin për Politikë dhe të Sigurisë së BE-së, ku janë ambasadorët e vendeve anëtare.
Bazë për diskutim ka qenë raporti i Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell i dorëzuar vetëm një ditë para këtij takimi.
“Duke konsideruar hapat e Kosovës në drejtim të përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, Përfaqësuesi i lartë rekomandon që Këshilli të marrë qëndrimin për tërheqjen e masave ndaj Kosovën, duke respektuar ndërkohë prerogativat institucionale. Vendimi i Këshillit do të ishte një sinjal politik që kontribuon në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Beograd-Prishtinë, i lehtësuar nga BE-ja mund të avancojë. Kosova pritet që të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë de-eskaluese dhe të evitojë veprimet e pa koordinuara“ thuhet në raportin e Borrellit.
Sipas burimeve diplomatike nga BE “diskutimet kanë qenë shumë të vështira dhe ka pasur dallime të mëdha në qëndrime mes vendeve anëtare”.
“Diku një e treta e vendeve anëtare kanë dashur që masat të hiqen në tërësi. Por një e treta e vendeve anëtare nuk janë pajtuar me këtë. Arsyeja që kanë përmendur është se Kosova nuk i ka përmbushur plotësisht të gjitha kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian”, i ka thënë Kohës një burim diplomatik në BE.
Tash pritet që Shërbimi i veprimit të Jashtëm Evropian (EEASS) të përgatisë një deklaratë me të cilën do të komunikoj hapat që do të marrë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës. Kjo pritet të ndodhë, mundësisht deri të hënën.
Përmendet heqja e suspendimit të mjeteve financiare nga IPA (Fondet e para anëtarësimit) si hap i parë ndërsa hapat e tjerë do të pasonin më vonë.
Rruga Press