Rënie në nivele rekord e euros, ndonëse në Shqipëri ka hyrë më pak valutë zyrtarisht
Në tremujorin e parë 2024 kursi mesatar i euros në raportet e këmbimit me lekun arriti në 103.8 lekë, niveli më i ulët historik.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një vit më parë, kur euro këmbehej mesatarisht më 115 lekë, monedha e përbashkët është nënçmuar me 9.7%.
Rënia e euros teorikisht do të thotë që në vend ka hyrë zyrtarisht më shumë valutë dhe ka dalë më pak, duke shtuar në këtë mënyrë ofertën për monedhën e përbashkët. Burimet e hyrjes së valutës më vend janë eksportet, shpenzimet e turistëve të huaj, prurjet e emigrantëve, të ardhurat nga shërbimet etj.
Ndërsa shpenzimi më i madh është për blerjen e mallrave të importit, nga të cilat po bëhemi gjithnjë e më shumë të varur, si rrjedhojë e vështirësive që po kalon prodhimi vendas.
Por, të dhënat zyrtare në tremujorin e parë të bilancit të pagesave, që mat transaksionet e hyrjes dhe daljes së valutës në vend treguan se shifrat zyrtare nuk e shpjegojnë forcimin e lekut.
Deficiti i llogarisë korrente pësoi një rritje të fortë për tremujorin e parë 2024 dhe arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deficiti i llogarisë korrente arriti vlerën e -371 milionë eurove, në rritje me 190% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, deficiti ishte -135 milionë euro, pothuajse në përgjysmim me vitin e mëparshëm.
Teorikisht, një përkeqësim i deficitit të llogarisë korente duhet të ndikonte në zhvlerësimin e monedhës vendase dhe anasjelltas. Në 2024 ka ndodhur e kundërta. Leku është forcuar ndërkohë që deficiti i llogarisë korente është përkeqësuar.
Ecuria e deficitit të llogarisë korente dhe kursit e shpjegon forcimin e lekut vetëm në periudhën 2022-2023, kur deficiti i llogarisë korente shfaqi shenja përmirësimi.
Bilanci i llogarisë korrente ka pësuar një përmbysje të shpejtë krahasuar me vitin e kaluar, kur deficiti arriti nivelin më të ulët historik, madje në tremujorin e tretë të vitit ky bilanc pati rezultuar pozitiv. Rritja e deficitit i detyrohet kryesisht thellimit të deficitit tregtar në mallra, që këtë herë nuk është balancuar dot mjaftueshëm nga bilanci pozitiv i shërbimeve dhe nga të ardhurat dytësore.
Për tremujorin e parë, deficiti tregtar në mallra arriti vlerën rekord të 1.24 miliardë eurove, në rritje me 39% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë që importet u rritën me 18%, eksportet e mallrave pësuan rënie me 20%.
Bilanci tregtar në shërbimeve vijoi të përmirësohej, por në një masë të vogël. Suficiti në llogarinë e shërbimeve arriti në 629 milionë eurove, në rritje me 11.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Kontributin kryesor në llogarinë e shërbimeve e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 267 milionë eurove, në rritje me 41% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Megjithatë, ritmet e larta të rritjes së të ardhurave nga turizmi nuk kanë mjaftuar për të mbyllur “gropën” e madhe në tregtinë e mallrave. Kjo edhe për faktin se zërat e tjera të llogarisë së shërbimeve, si fasoneria apo shërbimet e tjera pësuan rënie të të ardhurave krahasuar me një vit më parë.
Në veçanti, të ardhurat nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneria) pësuan rënie të të ardhurave me 3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Një efekt pozitiv dha edhe në tremujorin e parë edhe zëri i të ardhurave dytësore, që përbëhet kryesisht nga dërgesat e emigrantëve. Vlera e remietncave gjatë tremujorit të parë arriti në 242 milionë euro, në rritje me 13% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse deficiti i llogarisë korrente është zgjeruar ndjeshëm, llogaria financiare dhe sidomos investimet e huaja direkte vazhdojnë të sjellin flukse të konsiderueshme, që edhe në tremujorin e parë kompensuan pjesën më të madhe të deficiti të llogarisë korrente. Investimet e huaja direkte kishin vlerën e 354 milionë eurove, shumë kjo sa 95% e vlerës së deficitit të llogarisë korrente./ Monitor
Rruga Press