Bota

Bosnja: “Kuvendi gjithëserb”, projekt i rrezikshëm i Vuçiqit

“Kuvendi gjithëserb” është një projekt i rrezikshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Evropën Juglindore dhe për të larguar vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë, tha kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

I ashtuquajturi “kuvend gjithëserb” u mblodh të shtunën në Beograd, ku udhëheqës të Serbisë dhe të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin.

Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se gjuha e deklaratës është zgjedhur me kujdes dhe se ajo fokusohet te Kosova, merr parasysh Marrëveshjen e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje në vitet ’90 dhe nuk e përmend ndarjen e Bosnjës.

Ai, megjithatë, shtoi se Serbia “nuk do ta braktisë kurrë Republikën Sërpska”.

Beqiroviq tha se “kuvendi gjithëserb” kërcënon bashkëpunimin paqësor dhe të barabartë midis shteteve evropiane.

“Një skenar i tillë i përshtatet vetëm Rusisë së [Vladimir] Putinit dhe për këtë arsye nuk është rastësi që zyrtarët më të lartë rusë e kanë përkrahur publikisht mbajtjen e ‘kuvendit gjithëserb’”, tha Beqiroviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Ai shtoi se organizimi i një kuvendi tërësisht serb është në kundërshtim me praktikat e një bote demokratike dhe të civilizuar – e cila respekton ligjin ndërkombëtar – dhe paraqet “një hap jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

“Asnjë kryetar shteti në Evropën moderne nuk do të mendonte të organizonte një kuvend ‘gjithëfrancez’, ‘gjithëgjerman’, ‘gjithitalian’, ‘gjithëpolak’, ‘gjithëspanjoll…”, tha Beqiroviq.

Deklarata, e cila thotë se populli serb përfaqëson një entitet të vetëm, duhet të konfirmohet nga parlamentet e Serbisë dhe Republikës Sërpska në 90 ditët e ardhshme. /rel/

YouTube player