Bota

Zyrtarët e Republikës Sërpska në Serbi për Këshillin Gjithëkombëtar Serb

Zyrtarët e Republikës Srpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, kanë arritur të premten në Serbi, pak para organizimit të Këshillit Gjithëkombëtar Serb, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten para mediave se ky është “demostrim i madh”, përmes së cilit Serbia dëshiron të tregojë “jo vetëm unitet në pikëpamje, por edhe unitet në vendosmërinë për të mos fshehur përkatësinë e të njëjtit popull”.

“Sa i përket Republikës Srpska, ne duam të tregojmë respekt për Marrëveshjen e Dejtonit, për Serbinë dhe Republikën Srpska, neutralitetin ushtarak dhe shumë parime tjera”.

Është paralajmëruar edhe mbajtja e një takimi qeveritar në të cilin pritet të miratohet Deklarata për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike, si dhe për mbrojtje të së adhmes së popullit serb.

Lexo më shumë  Hungaria do t'i ishte dorëzuar Rusisë në rast se do ishte sulmuar, thotë ndihmësi kryesor i Orbanit

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë më 7 qershor, në një paraqitje televizive se, deklarata do të respektojë Marrëveshjen e Dejtonit, Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës, “sovranitetin e shtetit fqinj, mirëpo edhe sovranitetin dhe integritetin e Republikës Srpska brenda Bosnje-Hercegovinës”.

Një ditë më parë, Këshilli Gjithëkombëtar Serb dhe Qeveria e Serbisë kanë miratuar protokolle dhe memorandum bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës Srpska.

Fillimisht organizimi ishte planifikuar të zhvillohej më 5 dhe 6 maj, mirëpo presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, i ka kërkuar presidentit Vuçiq që takimi të mbahet pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta është miratuar më 23 maj dhe shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Serbia ka lobuar kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë, por e konsiderohen vetëm si “krim të tmerrshëm”.

Lexo më shumë  Talebanët kërkojnë zyrtarisht ftesë për samitin e BRICS të Rusisë

Më 30 maj, pas takimit me Dodikun, Vuçiq ka thënë se uniteti i popullit serb “do të konfirmohet fuqishëm” në Parlament.

Dodik ka thënë në një konferencë për media më 23 maj se do të kërkojë mbështetjen e udhëheqjes së Serbisë lidhur me “shkëputjen e Republikës Srpska nga Federata e Bosnje e Hercegovinës”.

Një ditë më vonë, Vuçiq ka thënë se “nuk mund” të komentoj për këtë iniciativë, dhe që paqja duhet të ruhet “me çdo çmim”.

Më 30 maj, Qeveria e Republikës Srpska e ka emëruar një grup punues, me qëllim të hartimit të një propozimi për një marrëveshje për “shkëputje paqësore” në Bosnje-Hercegovinë.

Tentime për ndarje të tilla në Bosnje-Hercegovinë përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës së shtetit. /REL/

YouTube player