Kurti: Veriu kurrë s’ka qenë më i sigurt, kriminelët kurrë s’kanë qenë më të rrezikuar
Veselinovic, Radoiçiq, të gjithë këta i përkasin strukturave paramilitare në Serbi, të cilët kanë prona të mëdha, pasuri marramendëse, të cilët organizojnë elementët kriminale për ta destabilizuar Kosovën, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, teksa foli për lidhjet që ka Serbia me kriminelët në veri. Më tej, ai bëri edhe një krahasim mes Serbisë dhe Rusisë, duke krahasuar edhe Prigozhin me Radoiçiq.
“Në dallim nga vitet 90 kur ka pasur një nacionalizëm të masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve. Nëse do të dërgoje në atë kohë një maune me kallashnikovë në cilindo fshat në Boshnjë, Kroaci apo edhe në Kosovë, të gjithë do ta merrnin një armë. Tashmë nuk është më ky rasti. Në Kosovë, nëse dikush provon t’i japë dikujt armatim lajmërohet në polici. Prandaj çfarë po bëjnë qendrat hegjemonike të Beogradit? Po dëshirojnë të punojnë me struktura kriminale në mungesë të mbështetjes popullore. Këto grupe e kanë sot një lloj admirimi ndaj “ujqërve” të NATO-s nga Kremlini ose grupeve si Wagneri. Serbia në Ballkan sillet si një Rusi e vogël dhe Rusia e vogël e ka një Putin të vogël, i cili është Aleksandar Vuçiq, por e ka edhe Prigozhinin e vogël, i cili është Milan Radoiçiq. Në dallim nga Prigozhini, ky i Serbisë është i lirë dhe mbrohet nga pushteti dhe merr pjesë në fushatë zgjedhore për presidentin e Serbisë.
Unë besoj se drejtësia mund të vonojë, por do t’i kapë këta. Policia dhe inteligjenca te ne po bëjnë punë të shkëlqyer, nganjëherë edhe gjyqësori me prokurorinë, por këto dy të fundit do të mund të bënin shumë më mirë dhe shumë më tepër”, tha Kurti.
Kurti tha më tej se si po çlirohen serbët në veri nga grupet kriminale. “Veriu kurrë nuk ka qenë më i sigurt dhe kriminelët kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuar. Paniku i tyre përcjellë edhe rrezik për qytetarët dhe forcat e sigurisë. Ata janë të interesuar për destabilizim dhe konflikte të reja”, u shpreh Albin Kurti në A2 CNN.
Rruga Press