Sanksionet e Perëndimit që “gjunjëzuan” gjigantin rus të energjisë
Gjiganti rus energjetik dhe dikur boshti i biznesit të fuqishëm rus të gazit, Gazprom, para pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, jo vetëm që furnizonte Evropën me gaz në masë të madhe, por edhe “drejtoi” ekonominë e saj. Gjermania, ekonomia e së cilës ishte konsideruar gjerësisht si lokomotivë e zhvillimit evropian, ishte e varur nga gazi rus. Gazpromi shpenzoi miliona edhe në sponsorizime në sport, veçanërisht në futboll.
Gazpromi sponsorizoi garën më të fortë evropiane dhe botërore për klube, Ligën e Kampionëve. Logoja e kompanisë ruse ishte në fanellat e disa ekipeve të njohura evropiane. E gjithë kjo ishte pjesë e një përpjekje jo vetëm për ta përmirësuar imazhin e gjigantit rus të gazit, por pjesërisht edhe për të errësuar lidhjet e kompanisë me qeverinë e Putinit… megjithatë qëllimet ishin më të gjera se kaq.
“Kontratat e sponsorizimit të Gazpromit janë rrallë transaksionale. Ato janë pothuajse gjithmonë gjeopolitike”, i tha Radio Evropës së Lirë në maj Simon Chadwick, profesor i ekonomisë sportive dhe gjeopolitikës në Francë, pasi tabloidi hungarez “Blikk” pati publikuar historinë e marrëveshjes mes klubit hungarez Ferencvaros dhe Gazpromit me vlerë miliona euro.
Pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në fund të shkurtit të vitit 2022 – kur Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës – vendet evropiane filluan ta zëvendësojnë gazin rus me burime të tjera. U kërkua edhe ndërprerja e kontratave të sponsorizimit me Gazpromin. Vetëm klubet si Ferencvarosi e Ylli i Kuq i Beogradit vendosën ta mbajnë Gazpromin si sponsor, të qëndrojnë pranë Kremlinit ashtu si liderët e vendeve të tyre, kryeministri hungarez Viktor Orban e presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilët e shohin interesin e tyre ekonomik dhe (gjeo)politik në nivele të shumëfishta.
Që kur Putini urdhëroi pushtimin e Ukrainës, puna për mega-kompaninë që kontrollohet nga shteti ka rënë dukshëm. Shitjet në Evropë kanë rënë, me tendencë për të shkuar në zero, tubacioni i gazit Nord Stream – i konsideruar si tubacion kyç – u shkatërrua. Gazpromi filloi të raportonte humbje të vazhdueshme në biznes.
Parashikime të zymta
Raporti i fundit nga Gazpromi ilustron më së miri gjendjen e kompanisë dhe biznesit rus të gazit. Gazpromi, sipas raportit, shkaku i luftës në Ukrainës, mund të mos rikuperojë të ardhurat e humbura nga eksporti në rastin më të mirë deri në një dekadë, por ndoshta edhe më gjatë.
Eksportet e kompanisë në Evropë, sipas vlerësimeve të paraqitura në studim, siç raportohet nga Financial Times, do të jenë mesatarisht 50 deri në 75 miliardë metra kub në vit deri në vitin 2035, që është më pak se një e treta e niveleve të shitjes të paraluftës. Aktualisht, rruga kryesore për eksportin e gazit rus në Kinë është gazsjellësi “Fuqia e Siberisë”, i cili, sipas disa vlerësimeve, ka rrjedhur vëllime rekord në Kinë në fillim të vitit.
Megjithëse Gazpromi shpreson se gazsjellësi i ri “Fuqia e Siberisë 2” në Kinë mund të ndihmojë në kompensimin e eksporteve të humbura evropiane, Kina po vonon marrëveshjen për ndërtimin e tij dhe kapaciteti do të jetë vetëm 50 miliardë metra kub në vit, ndërsa çmimet në atë vend aziatik janë shumë më të ulëta se në Evropë, thuhet në raport. Shto faktin se ende nuk është arritur marrëveshje për ndërtimin e tij. “Pasoja kryesore e sanksioneve për Gazpromin dhe industrinë e energjisë është ulja e vëllimit të eksporteve, e cila do të kthehet në nivelin e vitit 2020 jo më herët se 2035”, deklaruan autorët e raportit.
Raporti prej 151 faqesh, i shkruar në fund të vitit të kaluar, është një nga dëshmitë se si sanksionet perëndimore të vendosura në përgjigje të luftës ruse kanë dëmtuar Gazpromin dhe sektorin më të gjerë të energjisë rus. Elina Rybakova, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare me bazë në Uashington, pasi lexoi hulumtimin, ka thënë se ishte shumë “i zymtë”. “Gazpromi është në një qorrsokak dhe ata e dinë mirë këtë”, shtoi ajo.
Rruga Press