Ministri i sanksionuar serb shfaq përkushtimin e qeverisë për zgjerimin e lidhjeve me Rusinë
“Serbia aktualisht mbetet i vetmi vend evropian që refuzon ‘rusofobinë’”. Me këtë deklaratë është munduar ta kamuflojë lidhjen e fortë që Serbia ka me Rusinë ministri i qeverisë së re të Serbisë, Nenad Popoviq.
“Ne jemi i vetmi vend në Evropë që hedhim poshtë me neveri çdo formë rusofobie”, theksoi ai, duke treguar takimet e shpeshta mes liderëve të dy shteteve dhe format e ndryshme të bashkëpunimit.
“Bashkëpunimi ruso-serb është duke u zhvilluar në mënyrë dinamike vitet e fundit dhe ka potencial për forcimin e mëtejshëm, theksoi ministri.
Sipas tij, në kuadër të konfliktit në Ukrainë dhe acarimit të marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore, në tregun rus vazhdojnë të hyjnë produktet serbe, ndërsa në Beograd vizitojnë politikanë dhe figura kulturore nga Rusia.
Nenad Popoviq është i sanksionuar nga SHBA-ja që nga nëntori i vitit 2023, ndërsa sanksionet ndaj Vulinit u vendosën në korrik të të njëjtit vit. Të dy janë në “listën e zezë”, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.
Qeveria e re e Serbisë përmban dy figurat më kontroverse që kanë shfaqur bindjen e tyre të rrezikshme nacionaliste dhe lidhjet e tyre me Rusinë. Nenad Popoviq është njëri prej tyre dhe bashkë me të është edhe Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – është zëvendëskryeministër në qeverinë e re serbe.
Për këto emërime kishte reaguar edhe Departamenti amerikan i Shtetit, i cili kishte deklaruar se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.
Gjithashtu, kryeministri i ri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, kishte treguar që vendi i tij do të përforcojë lidhjet me Rusinë, aleatin tradicional, si dhe Kinën me të cilën Serbia po zhvillon lidhje e bashkëpunime.
“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha Vuçeviq. /TheGeopost/
Rruga Press