“Le Monde” shkruan për lidhjet e Vuçiqit me grupet kriminale në Serbi
Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” ua ka kushtuar sot një tekst të gjatë dy presidentëve të dy vendeve ballkanike, Aleksandar Vuçiqit të Serbisë dhe Milo Gjukanoviqit të Malit të Zi.
Në tekst, sipas asaj që përcjell “Vijesti.me”, flitet për grupet kriminale nga Serbia e Mali i Zi që kanë marrë pjesë në shitjen e drogës me origjinë nga Amerika e Jugut, e që gjithçka ka shkuar me përkrahjen e liderëve në pushtet.
Në tekst, gjithashtu potencohet roli i vëllezërve të dy presidentëve në këto lidhje kriminale, Andreja Vuçiqit në Beograd dhe Aca Gjukanoviqit në Podgoricë.
Është cituar edhe një diplomat i huaj i cili ka thënë se “në emër të gjeopolitikës”, Evropa ka mbyllur sytë për atë që po ndodhte në Serbi e Mal të Zi.
Tutje thuhet se autoritetet në Serbi e Mal të Zi kanë favorizuar grupin kriminal “Kavaçki”, “pjesëtarët e të cilit kanë mbajtur lidhje të ngushta me huliganët e lidhur me Vuçiqin”.
Është shkruar po ashtu se grupi kriminal “Janiçari”, më vonë i njohur si “Principe”, është forcuar vazhdimisht me ardhjen e Vuçiqit në pushtet. Pjesëtarët e këtij grupi ishin prezent, sipas “Le Monde” edhe në ceremoninë inauguruese të Vuçiqit si president i Serbisë, si dhe djali i tij, Danilo, është parë vazhdimisht në shoqëri të pjesëtarëve të këtij grupi.
Gazeta franceze shkruan se lidhjet mes këtij grupi dhe pushtetit i ka mbajtur Dijana Hrkaloviq, të cilën Vuçiqi e ka emëruar sekretare shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Së fundi, edhe një lider i një grupi të madh kriminal në Serbi, ka thënë se para se të arrestohej është takuar me Vuçiqin. Kreu serb ka thënë se kjo është e pavërtetë dhe se është i gatshëm t’i nënshtrohet poligrafit “për të nxjerr të vërtetën në shesh”.
Poligrafi, është mjet i njohur në Serbi për të zhveshur politikanët nga fajësia. Pas shumë ngjarjeve me bujë, autoritetet kanë dalë duke thënë “se x politikani e kaloi testin e poligrafit”, pa dhënë dëshmi shtesë.
Kështu Vuçiq tha me herët edhe për Milan Radojçiqin, serbin nga veriu i Kosovës, i dyshuar nga organet kosovare si pjesëmarrës në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
“Radojçiqi ka kaluar testin e poligrafit dhe aio nuk ka asgjë të bëjë me vrasjen e Ivanoviqit”, pati thënë Vuçiq.
Nga ajo kohë, Radojçiq është në Serbi në mbrojtjen e pushtetit. Së fundi ishte mysafir edhe në Kuvendin e Serbisë, ku Vuçiqi foli për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. E veja e Ivanoviqit, deputete në Serbi, lëshoi seancën, duke thënë “unë dhe Radojçiqi nuk mund të ndajmë të njëjtën hapësirë”./koha.net/