KFOR përfundon stërvitjen “Platinum Sabre 2024” pranë aeroportit të Gjakovës
Komanda Rajonale Perëndimore e misionit të KFOR-it, ka përfunduar sot stërvitjen “Platinum Sabre 2024” në afërsi të aeroportit të Gjakovës.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se në këtë stërvitje morën pjesë disa njësi të KFOR-it, përfshirë Batalionin Rezervë Operacional të Turqisë, Batalionin e Aviacionit dhe Batalionin e Vëzhgimit dhe Zbulimit të Inteligjencës, ku u kryen aktivitete të ndryshme të përbashkëta, duke përfshirë kordonin dhe kërkimin, procedurat e evakuimit mjekësor dhe menaxhimin e hapësirës ajrore.
“Përfundimi i stërvitjes “Platinum Sabre 2024” paraqet një arritje të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në kuadër të mandatit tonë të OKB-së, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të shkëlqyer të treguar nga të gjithë pjesëmarrësit,” tha Komandanti i misionit KFOR-it, Gjenerali Ozkan Ulutash.
KFOR thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet në njoftim.
Rruga Press